Policia gjermane heton një person për “fyerje” ndaj kancelarit Merz në rrjetet sociale me një emoji të Pinokut
Personi mori një letër nga policia kriminale tre muaj pas publikimit në rrjetet sociale, ku njoftohej për nisjen e hetimit në bazë të Paragrafit 188 të Kodit Penal gjerman, i cili ndalon fyerjet ndaj politikanëve
Berlin
Një pensionist gjerman po përballet me hetim penal pasi krahasoi kancelarin Friedrich Merz me Pinokun në një koment në Facebook, duke përdorur një emoji me hundë të gjatë për të kritikuar, sipas tij, premtimet e pambajtura të kreut të qeverisë, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti të gazetës Heilbronner Stimme, personi mori një letër nga policia kriminale tre muaj pas publikimit në rrjetet sociale, ku njoftohej për nisjen e hetimit në bazë të Paragrafit 188 të Kodit Penal gjerman, i cili ndalon fyerjet ndaj politikanëve.
Në deklarimin e tij para policisë, pensionisti mbrojti komentin si shprehje të lirë dhe të mbrojtur, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për fyerje të qëllimshme ndaj një personi të caktuar. Ai u bëri thirrje autoriteteve të ndërpresin hetimin.
Një zëdhënës i policisë tha se komentet në kanalet e tyre në rrjetet sociale monitorohen dhe përmbajtjet potencialisht penale i referohen prokurorisë për vlerësim.
“Nëse ekziston dyshim për vepër penale, policia është e detyruar të hetojë”, tha zëdhënësi, duke shtuar se vendimet e mëtejshme i takojnë prokurorisë.
Sipas gazetës, prokurorët janë duke shqyrtuar rastin për të vendosur nëse do të ngrihen akuza. Kritikët e Paragrafit 188 kanë argumentuar prej kohësh se dispozita kufizon kritikën legjitime politike dhe duhet të shfuqizohet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
