Bota

Policia e Kosovës hedh poshtë pretendimet për të shtëna ndaj ushtrisë serbe

Policia në kundërpërgjigje të pretendimeve të mediave serbe i cilësoi informacionet si dezinformata të pabaza që nuk korrespondojnë me asnjë incident të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës

Agim Sulaj  | 17.11.2025 - Përdıtësım : 17.11.2025
Policia e Kosovës hedh poshtë pretendimet për të shtëna ndaj ushtrisë serbe

Prishtinë

Policia e Kosovës i ka mohuar pretendimet e disa mediave serbe se një "grup i armatosur shqiptarësh" ka qëlluar drejt pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, pranë bazës ushtarake "Debella Gllava", transmeton Anadolu.

Policia në kundërpërgjigje të pretendimeve të disa mediave serbe i cilësoi informacionet si dezinformata të pabaza që nuk korrespondojnë me asnjë incident të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës.

"Policia e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një 'grup i armatosur shqiptarësh' ka qëlluar (ka hapur zjarr) drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur 'Debela Glava', janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës", thuhet në reagimin e policisë kosovare.

Baza ushtarake "Debella Gllava" ndodhet në komunën e Bujanocit, komunë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. Policia thekson se në bazë të të gjitha të dhënave operative, raportimeve nga njësite policore në terren dhe koordinimit me institucionet tjera kompetente, nuk është regjistruar asnjë incident i karakterit të pretenduar.

"Publikimi i informacioneve të tilla të pasakta kontribuon në krijimin e perceptimeve të rreme dhe rritjen e tensioneve të panevojshme në zonat kufitare", tha tutje Policia e Kosovës. Sipas Policisë, zona kufitare e Kosovës me Serbinë ka qenë dhe vazhdon të mbetet e qetë dhe plotësisht nën kontroll të autoriteteve.

Policia shtoi se gjatë realizimit të detyrave të rregullta operacionale gjatë ditës së djeshme, "njësite policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar (gjuetarë) shtetas të Serbisë për kallim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, të cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës".

Policia njoftoi se armët dhe municionin e gjetur e ka konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, janë dërguar në mbajtje konform procedurave ligjore.

Disa media në Serbi raportuan të dielën mbrëma se "një grup shqiptarësh të maskuar" ka sulmuar pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë në rajonin e bazës "Debella Glava", pranë kufirit me Kosovën. Sipas tyre, "sulmuesit u larguan me gjashtë xhipa drejt Kosovës".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın