Plenkoviq: Kroacia nuk e ka shqyrtuar kurrë dërgimin e trupave në Ukrainë
Kryeministri kroat tha se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën politikisht, ekonomikisht, energjikisht dhe ushtarakisht
Sarajevë
Kroacia nuk e ka shqyrtuar asnjëherë dërgimin e ushtarëve të saj në Ukrainë, por do të vazhdojë ta mbështesë këtë vend politikisht, ekonomikisht, energjetikisht dhe ushtarakisht, deklaroi kryeministri Andrej Plenkoviq gjatë hapjes së mbledhjes së Qeverisë sot, raporton Anadolu.
"Ashtu siç e kemi thënë qartë gjatë gjithë këtyre viteve, Kroacia kurrë nuk e ka shqyrtuar dërgimin e ushtarëve të saj, por do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën politikisht, ekonomikisht, energjetikisht dhe ushtarakisht", tha Plenkoviq, duke iu referuar takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve në Paris, ku u diskutua edhe për dislokimin e forcave paqeruajtëse shumëkombëshe në të ardhmen në Ukrainë.
Deklarata e Plenkoviqit vjen një ditë pasi presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, i cili është edhe komandant suprem i Forcave të Armatosura, tha se vendi nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë.
Plenkoviq shtoi se Kroacia do t'i ofrojë Ukrainës ndihmë në fushën e mbrojtjes civile, shpëtimit "dhe gjithçkaje që kemi bërë deri tani, përfshirë mbështetjen energjetike", duke njoftuar se Qeveria kroate edhe sot do të miratojë disa vendime për ndihmë ndaj këtij vendi.
Kroacia është anëtare e Koalicionit të të Vullnetshmëve, një grup prej 35 shtetesh që u mblodhën në Paris në fillim të javës për të shqyrtuar garancitë e sigurisë dhe mundësinë e dërgimit të forcave paqeruajtëse shumëkombëshe në Ukrainë pas një armëpushimi në luftën me Rusinë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
