Bota

Plani i propozuar për Gazën parashikon çarmatimin me faza të Hamasit sipas një kuadri të mbështetur nga SHBA-ja

Washingtoni po inkurajon për çarmatim me faza si një gur themeli të kornizës më të gjerë prej 20 pikash të Presidentit Donald Trump për Gazën, e cila mbështet marrëveshjet aktuale të armëpushimit

Gizem Nisa Çebi Demir  | 11.02.2026 - Përdıtësım : 11.02.2026
Plani i propozuar për Gazën parashikon çarmatimin me faza të Hamasit sipas një kuadri të mbështetur nga SHBA-ja

Stamboll

Një draft-plan i propozuar për Gazën, i udhëhequr nga ndërmjetësues të mbështetur nga SHBA-ja, parashikon që Hamasi të dorëzojë armët e afta për të goditur Izraelin, ndërsa mban përkohësisht disa armë të vogla, sipas zyrtarëve, duke sinjalizuar një ndryshim të mundshëm në përpjekjet për të çmilitarizuar enklavën pas viteve të tëra lufte, transmeton Anadolu.

Plani, i përgatitur nga një ekip ndërkombëtar që përfshin dhëndrin e Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, të dërguarin e SHBA-së, Steve Witkoff dhe ish-zyrtarin e lartë të OKB-së, Nickolay Mladenov, pritet t'i paraqitet Hamasit në javët e ardhshme, thanë për "The New York Times" njerëz të njohur me diskutimet, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së negociatave.

Washingtoni po inkurajon për çarmatim me faza si një gur themeli të kornizës më të gjerë prej 20 pikash të Presidentit Donald Trump për Gazën, e cila mbështet marrëveshjet aktuale të armëpushimit.

"Shtetet e Bashkuara po punojnë ngushtë me të gjitha palët dhe ndërmjetësit për të siguruar zbatimin e plotë të planit dhe për të avancuar një kornizë të qëndrueshme sigurie që mbështet stabilitetin afatgjatë në rajon dhe prosperitetin për Gazën", tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Dylan Johnson.

Izraeli ka këmbëngulur se çdo tërheqje e trupave nga Gaza varet nga dorëzimi i armëve nga Hamasi, duke e parë demilitarizimin si thelbësor.

Kryeministri Benjamin Netanyahu më parë paralajmëroi se Hamasi do të çarmatoset "në mënyrën e lehtë ose të vështirë, por kjo do të ndodhë".

Sipas të përditshmes, analistët thonë se çmontimi i aftësive ushtarake të Hamasit mbetet "shtylla kyçe e gjithçkaje", ndërsa Shira Efron e Korporatës RAND paralajmëron se dështimi mund të rrezikojë konflikt të ripërtërirë ose një strukturë qeverisjeje të ndarë në Gaza.

Hamasi nuk është zotuar publikisht për çarmatim, megjithëse zyrtari i lartë Khaled Meshal kohët e fundit sugjeroi se grupi synon të mbajë armët e tij, duke deklaruar se "Për sa kohë që ka pushtim, ka rezistencë", ndërsa shtoi se veprimi i armatosur kundër Izraelit mund të mos jetë i mundshëm "në 10 deri në 15 vitet e ardhshme".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.