Bota

Pjesët munguese të mozaikut të "Vajzës Rome" do të kthehen në Turqi

Të 12 fragmentet, të kontrabanduara në vitin 1965, ekspozoheshin në Universitetin Shtetëror Bowling Green në Ohio, SHBA

Hakan Çopur  | 21.11.2018 - Përdıtësım : 22.11.2018
Pjesët munguese të mozaikut të "Vajzës Rome" do të kthehen në Turqi

Ohio

OHIO (AA) - Pas një ndarjeje të gjatë prej më shumë se 50 vitesh, pjesët munguese të mozaikut të "Vajzës Rome" do të kthehen në Turqi javën e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesët e mozaikut të qytetit romak Zeugma në Turqinë juglindore që shfaqeshin në Universitetin Shtetëror Bowling Green në Ohio të SHBA-ve, u janë dorëzuar zyrtarëve turq për t'u kthyer në Muzeun e Mozaikëve të Zeugmas në Gaziantep të Turqisë.

Në Universitetin Shtetëror Bowling Green u organizua ceremoni për dorëzimin e 12 mozaikëve në kuadër të një protokolli të nënshkruar mes universitetit dhe Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit në maj të këtij viti.

Më herët, ministri turk Mehmet Nuri Ersoy njoftoi se 12 fragmentet do të kthehen në Turqi më 26 nëntor.

Pjesët e mozaikut të famshëm kanë munguar për të paktën 50 vjet. Të 12 fragmentet, të kontrabanduara në vitin 1965, ekspozoheshin në universitetin në Ohio.

Mozaiku i një vajze të re me sy të mprehtë u zbulua në fillim të viteve 1960 gjatë gërmimeve në Zeugma në provincën juglindore turke Gaziantep.

Në vitin 1965, universiteti pagoi 35.000 dollarë për të blerë mozaikët dhe 47 vjet më vonë, Turqia u përpoq t'i kthejë ato, por universiteti kërkonte 260.000 dollarë.

Ministria e Jashtme hodhi poshtë ofertën duke e cilësuar atë si joetike, por pas negociatave që zgjatën pesë vite e gjysmë, më 15 maj u firmos protokoli për kthimin e mozaikëve.

Sipas Ministrisë së Kulturës, më shumë se 4.300 vepra arti antike të kontrabanduara janë kthyer në Turqi që nga viti 2003.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın