Pjesë të një rakete iraniane bien në një zonë rurale të Damaskut pas interceptimit nga ushtria izraelite
Copëzat ranë në afërsi të fshatit Ma'as në Damask, thotë televizioni Alikhbaria Syria
Stamboll
Pjesë të mëdha të një rakete iraniane ranë pranë një fshati në Damask, Siri, pasi u interceptuan nga ushtria izraelite, raportuan mediat siriane, transmeton Anadolu.
Televizioni Alikhbaria Syria tha se copëzat ranë në afërsi të fshatit Ma'as pasi raketa u interceptua.
Kanali shtoi se fragmentet e raketës që ranë nuk shkaktuan dëme apo viktima.
Ibrahim Al-Mousa, një banor i fshatit të afërt Al-Mushaqaq, i tha kanalit se interceptimi i raketës shkaktoi frikë dhe panik te banorët, veçanërisht te fëmijët.
"Nëse copëzat e raketës do të kishin rënë mbi një shtëpi, mund të kishin shkaktuar dëme", tha ai.
Incidente të ngjashme janë raportuar ditët e fundit në jug të Sirisë, veçanërisht në provincat Daraa dhe Quneitra, pasi copëza nga raketa të interceptuara ranë mes sulmeve të vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe përgjigjes ushtarake të Teheranit, duke rritur shqetësimet te civilët.
Që nga nisja e sulmeve të përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit më 28 shkurt, ku deri më tani janë vrarë më shumë se 1.200 persona, përfshirë edhe Udhëheqësin Suprem të atëhershëm Ajatollah Ali Khamenei, armiqësitë janë përshkallëzuar.
Irani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që shënjestruan Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
