"Pimë ujë nga tualeti", aktivistët malajzianë japin detaje rreth arrestimit mizor izraelit pas misionit në Gaza
"A mund ta imagjinoni që kemi pirë ujë nga tualeti? Disa njerëz ishin shumë, shumë të sëmurë, por (izraelitët) thanë: "A janë të vdekur? Nëse jo, atëherë ky nuk është problemi ynë", tha Heliza Helmi

Stamboll
Këngëtaret dhe aktoret malajziane, Heliza Helmi dhe Hazwani Helmi, të cilat morën pjesë në misionin e Flotiljes Globale "Sumud" për të dërguar ndihma në Gaza, mbërritën në Stamboll dhe përshkruan trajtimin "brutal dhe mizor" nga forcat izraelite pasi u sulmua anija, transmeton Anadolu.
Një avion që mbante aktivistë nga flota e ndihmës, të cilët u sulmuan dhe u ndaluan nga Izraeli në ujërat ndërkombëtare, ateroi të shtunën në aeroportin e Stambollit. Plot 137 persona nga flota humanitare, përfshirë 36 qytetarë turq dhe 23 shtetas malajzianë, mbërritën me këtë fluturim.
Pasi u transferuan nga Izraeli në Stamboll, aktivistët u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit për kontrolle shëndetësore përpara se të jepnin dëshmi para prokurorëve si dëshmitarë.
Duke folur për Anadolu, Hazwani tha se pjesëmarrja e tyre në mision ishte një detyrë morale dhe fetare. "Detyra jonë si muslimanë është t'i ndihmojmë ata. Ne duhet të ndalojmë bllokadën dhe t'u dërgojmë ushqim dhe ndihmë palestinezëve", tha ajo.
Motrat treguan kushtet e vështira gjatë ndalimit të tyre.
"A mund ta imagjinoni që pimë nga uji i tualetit? Disa njerëz ishin shumë, shumë të sëmurë, por ata (izraelitët) thanë: "A janë të vdekur? Nëse jo, atëherë ky nuk është problemi ynë", tha Hazwani.
"Ata janë njerëz shumë, shumë mizorë dhe mendoj se bota duhet të tregojë se izraelitët janë njerëz shumë, shumë mizorë", thekson Hazwani.
Heliza përshkroi se si qëndroi pa ushqim për ditë të tëra. "Kam ngrënë më 1 tetor. Sot (4 tetor) është vakti im i parë", tha ajo. "Pra, tre ditë nuk kam ngrënë, vetëm piva nga tualeti", thotë ajo.
Pavarësisht përvojës së hidhur, motrat shprehën mirënjohje për mbështetjen që morën pas lirimit të tyre.
"Jemi shumë mirënjohëse dhe falënderuese ndaj popullit turk. Jemi pritur mirë. Faleminderit për mbështetjen tuaj. Na bëni të ndihemi shumë të lumtur", tha Hazwani.
"Faleminderit Turqi", shtoi Heliza.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.