Bota

Piloti i akrobacive ajrore Costa kryen manovrën “ulje dhe ngritje” mbi një tren në lëvizje

Duke përdorur një avion akrobatik ‘Zivko Edge 540’, Costa u ul në vagonin e fundit të një treni 9-vagonësh që lëvizte me shpejtësi 120 kilometra në orë dhe u ngrit menjëherë nga e njëjta pozitë

Abdulbesar Ademi  | 16.02.2026 - Përdıtësım : 16.02.2026
Piloti i akrobacive ajrore Costa kryen manovrën “ulje dhe ngritje” mbi një tren në lëvizje Foto: Red Bull

Afyonkarahisar

Atleti i Red Bull-it dhe piloti i akrobacive ajrore, Dario Costa, ka kryer manovrën “ulje dhe ngritje” nga një tren mallrash në lëvizje në Afyonkarahisar të Turqisë, duke realizuar me sukses një veprim të paprecedentë në aviacion, raporton Anadolu.

Duke përdorur një avion akrobatik ‘Zivko Edge 540’ dhe duke u nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar ‘IC Ictas Zafer’, Costa u ul në vagonin e fundit të një treni 9-vagonësh që lëvizte me shpejtësi 120 kilometra në orë dhe u ngrit menjëherë nga e njëjta pozitë.

Manovra u krye nën presion të jashtëzakonshëm, me të gjithë sekuencën e përfunduar në vetëm 50 sekonda.

Për të përputhur shpejtësinë e trenit, Costa e ngadalësoi avionin në 87 kilometra në orë, duke iu afruar shpejtësisë minimale të kontrollueshme, ndërsa sinkronizoi fluturimin mes turbulencave të forta dhe rrymave të paparashikueshme të ajrit të shkaktuara nga treni në lëvizje.

Gjatë afrimit, piloti mund të shihte vagonin e synuar vetëm në një kënd 45 gradë deri rreth 200 metra përpara fazës finale të afrimit të verbër.

Një altimetër lazer i personalizuar, i projektuar nga inxhinieri Petr Frantis, i dërgonte sinjale zanore në kufjet e Costës për të garantuar kontroll të saktë të lartësisë në momentet kur dukshmëria ishte më e kufizuar.

Muaj të tërë simulimesh dhe trajnimesh të specializuara u përdorën për të menaxhuar një manovër me pothuajse zero tolerancë për gabime, pasi një tentativë e dështuar do të kërkonte më shumë se një orë për të rivendosur operacionin e trenit dhe do të rriste ndjeshëm rrezikun operacional.

Pavarësisht këtyre sfidave, avioni ruajti stabilitetin përmes korrigjimeve të vazhdueshme aerodinamike, përpara se të kalonte në një ngjitje vertikale për të përfunduar sekuencën.

Costa e përshkroi projektin “Train Landing” si një nga sfidat më kërkuese të karrierës së tij, duke theksuar se ndërveprimi midis avionit dhe trenit në lëvizje simbolikisht lidhte transportin e motorizuar historik me atë modern.

Në më shumë se 20 vjet përvojë fluturimi, Costa ka regjistruar mbi 5.000 orë fluturimi në më shumë se 60 modele të ndryshme avionësh. Avioni i tij i preferuar mbetet Zivko Edge 540, të cilin e përdor për gara dhe performanca ajrore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.