Bota

Picula: Të shtyjmë Kosovën që të ecë përpara

"Të shtyjmë Kosovën që të ecë përpara dhe aq sa të jetë e mundur të mbajmë Kosovën në axhendën e BE-së", tha kryesuesi i delegacionit të PE-së, Tonino Picula

Sibel Vezaj  | 18.09.2018 - Përdıtësım : 19.09.2018
Picula: Të shtyjmë Kosovën që të ecë përpara ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Pas mbledhjes së pestë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, e cila zgjati dy ditë, dy kryesuesit, deputeti kosovar Memli Krasniqi, kryesuesi i delegacionit të Kosovës dhe Tonino Picula, kryetar i delegacionit të PE-së mbajtën një konferencë për media ku njoftuan se janë pajtuar për një deklaratë finale të përbashkët, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë kësaj konference kryesuesi i delegacionit të Kosovës, Krasniqi deklaroi se në sesionet e djeshme dhe të sotme të mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-Kosovë kanë diskutuar për shumë tema të rëndësishme siç janë gjendja e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për krimet e luftës dhe rrugën drejt pajtimit, zhvillimet në ekonomi dhe sundim të ligjit, për liberalizimin e vizave e të tjera.

Ai falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të delegacionit të Parlamentit Evropian në këtë komision, duke përfshirë edhe në votimin e fundit në PE për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

“Ne përfundimisht kemi dakorduar, jemi pajtuar dhe kemi miratuar një deklaratë finale të përbashkët, bashkë edhe me rekomandimet konkrete të cilën do e shpërndajmë gjatë ditës. Me këtë rast i falënderoj shumë fillimisht deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarët e delegacionit të cilin unë e udhëheqi, për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm pavarësisht dallimeve që i kemi në çështje të ndryshme në politikat tona ditore. Kemi arritur që të kemi pajtueshmëri të plotë në shumicën prej çështjeve dhe kemi mbështetur bashkërisht edhe deklaratën”, tha Krasniqi.

Ai së fundmi njoftoi se janë dakorduar që takimin e radhës të mbajnë në Strazburg më 13 dhe 14 mars të vitit të ardhshëm.

Kryesuesi i delegacionit të PE-së, Picula tha se ka edhe disa lajme të mira për Kosovën, duke rikujtuar se javën e kaluar Parlamenti Evropian, pas votimit pozitiv të Komisionit LIBE, i dha besimin të ardhmes së qytetarëve të Kosovës duke miratuar heqjen e kërkesave për viza.

“Ne sot edhe një herë vërtetuam që pavarësisht dallimeve, sepse kjo është normale në jetën politike, ne arritëm që të kuptojmë atë që është e rëndësishme, dhe e rëndësishmja është Kosova në Evropë, që të shtyjmë Kosovën që të ecë përpara dhe aq sa të jetë e mundur të mbajmë Kosovën në axhendën e BE-së, në rrethana të vështira sepse ne e dimë se çfarë po ndodh në BE. Zgjerimi mirëpritet në një pjesë të BE-së, në pjesë të tjera ndoshta është në pikëpyetje”, tha ai.

Ai duke theksuar rëndësinë e punës së bërë gjatë këtyre dy ditëve në kuadër të mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-Kosovë, shprehu mendimin se në takimin e radhës në Strazburg do të punojnë edhe në kushte më të mira dhe më të lehta se sot.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın