Bota

Pheniani: Nuk jemi të interesuar për bisedime të padobishme për vendin

"Washingtoni duhet t'i japë fund politikës së saj armiqësore kundër Koresë së Veriut nëse dëshiron t'i mbajë gjallë bisedimet bërthamore", tha Kim Kye Gwan

Ayşe Doğru  | 18.11.2019 - Përdıtësım : 18.11.2019
Pheniani: Nuk jemi të interesuar për bisedime të padobishme për vendin

Ankara/Seul

Koreja e Veriut në përgjigje të thirrjes së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, se mund të takohet së shpejti me liderin koreano-verior Kim Jong-un, deklaroi se nuk janë të interesuar për bisedime që nuk kanë dobi për vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilltari i Ministrisë së Jashtme, Kim Kye Gwan, në një deklaratë për agjencinë KCNA ka bërë të ditur se Washingtoni duhet t'i japë fund politikës së saj armiqësore kundër Koresë së Veriut nëse dëshiron t'i mbajë gjallë bisedimet bërthamore.

"SHBA po përpiqet të fitojë kohë në favor të saj. Ne tashmë nuk interesohemi për takime të tilla që nuk sjellin dobi. Meqenëse nuk marrin asgjë në këmbim, ne nuk do t‘i dhurojmë presidentit të SHBA-ve diçka për të cilën mund të mburret, madje do të marrim në këmbim arritjet me të cilat presidenti Trump krenohet", tha Kim Kye Gwan i cili ka vënë theksin se palët që nga qershori i kaluar kanë zhvilluar tri samite dhe takime të tjera por se nuk ka patur ndonjë përmirësim të marrëdhënieve.

Trump në një mesazh të publikuar në Twitter i ka thënë liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un: "Duhet të nxitosh dhe të bësh marrëveshje. Shihemi së shpejti".

Samitet Trump-Kim për pastrimin e Gadishullit Korean nga armët bërthamore

Trump dhe Kim Jong-un për herë të parë u takuan në Singapor më 12 qershor 2018 ku arritën një dakordim për një paqe të qëndrueshme dhe për pastrimin e Gadishullit koreano-verior nga armët bërthamore.

Dy liderët u takuan më pas në kryeqytetin vietnamez, Hanoi më 26-27 shkurt por samiti nga ajo që pritej përfundoi në mënyrë të shpejtë dhe pa marrëveshje. Së fundmi Trump dhe Kim u takuan në ‘zonën e çmilitarizuar' mes dy Koreve dhe u dakorduan për vazhdimin e procesit të bisedimeve bërthamore.

Kryenegociatori koreano-verior Kim ka thënë se rifillimi i bisedimeve është i lidhur me qëndrimin e SHBA-ve dhe i ka dhënë kohë Washingtonit deri në fund të vitit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.