Bota

Pesë ushtarë të qëlluar në një incident me armë zjarri në një bazë ushtarake në SHBA

Zona e Brigadës së 2-të të Blinduar (2ABCT) është ende në izolim, njoftoi Aeroporti Ushtarak “Fort Stewart Hunter”

Diyar Güldoğan  | 06.08.2025 - Përdıtësım : 06.08.2025
Pesë ushtarë të qëlluar në një incident me armë zjarri në një bazë ushtarake në SHBA

Washington DC

Pesë ushtarë u qëlluan sot në një incident me armë zjarri në një bazë të Ushtrisë Amerikane në shtetin e Xhorxhias, transmeton Anadolu.

“Të gjithë ushtarët u trajtuan në vendngjarje dhe më pas u transferuan në Spitalin e Komunitetit Ushtarak Winn për trajtim të mëtejshëm. Nuk ka kërcënim aktiv për komunitetin”, njoftoi në Facebook Aeroporti Ushtarak “Fort Stewart Hunter” (FSHAA).

Autori i të shtënave u arrestua në orën 11:35 të paradites (15:35 GMT), njoftoi FSHAA-ja.

Zona e Brigadës së 2-të të Blinduar (2ABCT) është ende në izolim, shtoi ajo.

“Incidenti mbetet nën hetim dhe nuk do të jepet asnjë informacion shtesë deri në përfundimin e hetimit”, thuhet më tej në njoftim.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se presidenti Donald Trump është informuar për ngjarjen.

“Shtëpia e Bardhë po ndjek nga afër situatën”, shkroi ajo në X.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjithashtu është informuar, sipas zëdhënësit të Pentagonit, Sean Parnell.

“Po e monitorojmë situatën”, shkroi ai në X.

Guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp, tha se zyra e tij është “në kontakt të ngushtë” me forcat e rendit në terren.

“Lutjet dhe mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që shërbejnë për vendin, dhe u kërkojmë të gjithë qytetarëve të Xhorxhias të bëjnë të njëjtën gjë”, shkroi Kemp në X.

Ndërkohë, zyra e FBI-së në Savannah tha se është në dijeni për incidentin dhe është duke bashkëpunuar me Njësinë Hetimore të Ushtrisë për çdo ndihmë që mund të nevojitet.

Fort Stewart trajnon dhe dislokon njësi të ushtrisë aktive dhe rezervë dhe është shtëpia e Divizionit të 3-të të Këmbësorisë. Ajo ndodhet rreth 64,3 kilometra në jugperëndim të qytetit Savannah.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın