Bota

Pesë të vrarë në sulmet izraelite në veri dhe jug të Libanit

Sulmet ajrore godasin kampin e refugjatëve në Tripoli dhe një makinë në jug mes përshkallëzimit të tensioneve rajonale

Mohammad Sıo  | 05.03.2026 - Përdıtësım : 05.03.2026
Pesë të vrarë në sulmet izraelite në veri dhe jug të Libanit

Stamboll

Pesë persona u vranë në sulmet ajrore izraelite në veri dhe jug të Libanit të enjten, sipas autoriteteve libaneze dhe raporteve të medias, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se dy persona u vranë dhe një grua u plagos në një sulm izraelit që goditi një apartament banimi në kampin e refugjatëve Beddawi në Tripoli në Libanin verior, raportoi Agjencia zyrtare Kombëtare e Lajmeve (NNA) e vendit.

Agjencia më vonë tha se sulmi vrau Wassim al-Ali, një anëtar i Hamasit, dhe gruan e tij. Një nga vajzat e tyre u plagos dhe u dërgua në spital.

Më parë, televizioni Al-Manar i Hezbollahut raportoi viktima pasi Izraeli shënjestroi apartamentin brenda kampit.

Në një incident tjetër, tre persona u vranë kur një dron izraelit goditi një makinë në rrugën Tyre-Naqoura pranë vendbanimit Qleileh në Libanin jugor, tha NNA.

Avionët izraelitë goditën gjithashtu një shtëpi në vendbanimin Shaabiyeh në Tyre, poashtu avionët luftarakë kryen sulme të rënda ajrore në vendbanimin Qabrikha në qytetin Marjayoun të guvernatorit Nabatieh, sipas agjencisë. Rezultati i këtyre sulmeve nuk dihet.

Sulmet erdhën ndërsa sulmet ajrore izraelite shënjestruan disa zona në të gjithë Libanin herët të enjten, duke përfshirë distriktin Ghobeiry dhe Haret Hreik në periferitë jugore të Bejrutit.

Më parë këtë javë, Hezbollahu tha se shënjestroi një vendndodhje ushtarake në Izraelin verior me raketa dhe dronë në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme izraelite ndaj Libanit dhe vrasjes së Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, gjatë sulmeve të vazhdueshme SHBA-Izrael ndaj Iranit që nga e shtuna.

Ushtria izraelite u përgjigj me një seri sulmesh ajrore, duke vrarë të paktën 72 persona dhe duke plagosur gati 450 të tjerë, dhe gjithashtu nisi një inkursion tokësor në Libanin jugor.

Izraeli ka shkelur vazhdimisht një marrëveshje armëpushimi me Hezbollahun, të nënshkruar në nëntor 2024, duke kryer sulme pothuajse të përditshme që kanë lënë qindra të vdekur dhe të plagosur.

Izraeli filloi ofensivën e tij kundër Libanit në tetor 2023 dhe e përshkallëzoi atë në një luftë në shkallë të plotë në shtator 2024, duke vrarë më shumë se 4.000 njerëz dhe duke plagosur rreth 17.000.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın