Peshkopi polak në gjyq për mosraportimin e pretendimeve për abuzim seksual me të mitur
Gjyqi ndaj Andrzej Jez, peshkop i qytetit jugor Tarnow, u hap në një gjykatë lokale, ku prokurorët e akuzojnë për shkelje të ligjit për mosnjoftimin “pa vonesë” të autoriteteve mbi pretendime të besueshme për abuzim
Varshavë
Një peshkop katolik në Poloni ka dalë në gjyq i akuzuar për dështim në raportimin e menjëhershëm të pretendimeve për abuzim seksual me të mitur nga priftërinj nën autoritetin e tij, duke shënuar herën e parë që një peshkop në vend përballet me procedim penal për çështje të tilla, transmeton Anadolu
Gjyqi ndaj Andrzej Jez, peshkop i qytetit jugor Tarnow, u hap në një gjykatë lokale, ku prokurorët e akuzojnë për shkelje të ligjit për mosnjoftimin “pa vonesë” të autoriteteve mbi pretendime të besueshme për abuzim.
Çështja lidhet me dy priftërinj, të identifikuar sipas ligjit polak të privatësisë si Stanislaw P. dhe Tomasz K. Prokuroria pretendon se peshkopi kishte informacion që sugjeronte krime serioze ndaj të miturve, por nuk veproi menjëherë.
Procedimet ndaj Stanislaw P. u ndërprenë në vitin 2022 për shkak të parashkrimit, megjithatë hetuesit arritën në përfundimin se ai kishte dëmtuar dhjetëra fëmijë gjatë disa dekadave. Në një rast të veçantë, Tomasz K. dyshohet për abuzime që nga viti 2018, por akuzat nuk janë paraqitur ende për arsye shëndetësore.
Bazuar në materialet hetimore, prokurorët ngritën akuza ndaj Jez për mosraportim të menjëhershëm. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me deri në tre vjet burg.
Akuza mbështetet në ndryshimet e vitit 2017 në kodin penal të Polonisë, që e bëjnë vepër penale mosnjoftimin e menjëhershëm të autoriteteve për krime të rënda, përfshirë abuzimin seksual të të miturve.
Peshkopi Jez, në detyrë që nga viti 2012, është deklaruar i pafajshëm. Dioqeza e Tarnow-it tha se ndjek një politikë “zero tolerancë” ndaj abuzimeve dhe se peshkopi ka përmbushur detyrimet sipas ligjit.
Gjyqi zhvillohet në një klimë vëmendjeje të shtuar ndaj Kishës Katolike në Poloni, pas një sërë hetimesh dhe dokumentarësh që kanë zbuluar raste abuzimi dhe mbulimi të pretenduar nga autoritetet kishtare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
