Bota

Pentagoni vendos 700 marinsa dhe 2 mijë roje kombëtare në Los Angeles pas bastisjeve ndaj emigrantëve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi vendosjen e 700 marinsave amerikanë në detyrë aktive dhe 2 mijë trupave shtesë të Gardës Kombëtare në Los Angeles, duke përshkallëzuar përgjigjen federale ndaj demonstratave

Islam Doğru  | 10.06.2025 - Përdıtësım : 10.06.2025
Pentagoni vendos 700 marinsa dhe 2 mijë roje kombëtare në Los Angeles pas bastisjeve ndaj emigrantëve

New York/Stamboll

Protestat në qytetin Los Angeles në Kaliforni kanë hyrë në ditën e tyre të katërt pasi bastisjet e Agjencisë për Zbatimin e Imigracionit dhe Doganave (ICE) që shënjestronin banorët pa dokumente shkaktuan trazira të gjera, transmeton Anadolu.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi vendosjen e 700 marinsave amerikanë në detyrë aktive dhe 2 mijë trupave shtesë të Gardës Kombëtare në Los Angeles, duke përshkallëzuar përgjigjen federale ndaj demonstratave.

Derisa trupat amerikane janë dërguar në zonat e fatkeqësive pas ngjarjeve si Uragani Katrina dhe sulmet e 11 shtatorit, përdorimi i tyre në trazira civile mbetet i rrallë.

Kalifornia ngriti një padi kundër qeverisë federale, duke e quajtur vendosjen e trupave veprim “të paligjshëm” dhe duke kërkuar kthimin e autoritetit të Gardës Kombëtare te Guvernatori Gavin Newsom.

Cari i kufirit, Tom Homan, për CNN tha se prania e Marinës së SHBA-së është e nevojshme për të ruajtur rendin. Por ashtu si guvernatori Newsom edhe kryetarja e Bashkisë Los Angeles, Karen Bass, e kritikuan këtë veprim, me Bass që tha se qyteti po "përdorej si një terren prove" për kontrollin federal

Të hënën, tensionet midis Trumpit dhe Newsomit u thelluan. Pasi u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se do ta arrestojë Newsomin po të ishte ai "cari i kufirit", Homan, megjithëse Homan sqaroi se nuk ka pasur "asnjë diskutim" për këtë.

Trump e përshkroi Newsomin si të paaftë, duke theksuar se, "Mendoj se krimi i tij kryesor është kandidimi për guvernator, sepse ai ka bërë një punë kaq të keqe".

Në platformën sociale X, Newsom iu përgjigj Trumpit.

"Presidenti i SHBA-së sapo kërkoi arrestimin e një guvernatori në detyrë. Nuk më intereson nëse je Demokrat apo Republikan, kjo është një vijë që nuk mund ta kalojmë si komb, ky është një hap i pagabueshëm drejt autoritarizmit”.

"Këto janë akte të një diktatori, jo të një presidenti", shtoi ai.

Në një intervistë me NBC News, Homan tha: “Mund të protestoni, keni të drejtat tuaja të Amendamentit të Parë, por kur e kaloni atë vijë, duke sulmuar oficerët ose duke dëmtuar pronën, ky është një krim”.

Ai paralajmëroi se administrata e presidentit Trump nuk do të tolerojë veprime të tilla.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.