Bota

Pentagoni përgatit "operacione tokësore disa-javore" në Iran mes debatit për përshkallëzim

Zyrtarët thanë se planet mund të shënojnë “një fazë të re të luftës” që mund të jetë “dukshëm më e rrezikshme” për forcat amerikane sesa katër javët e para të luftimeve

Merve Berker  | 29.03.2026 - Përdıtësım : 29.03.2026
Pentagoni përgatit "operacione tokësore disa-javore" në Iran mes debatit për përshkallëzim

Ankara

Pentagoni po përgatitet për javë të tëra operacionesh të mundshme tokësore në Iran, ndërsa mijëra trupa amerikane po dislokohen në Lindjen e Mesme, në pritje të një vendimi nga presidenti Donald Trump, transmeton Anadolu.

Zyrtarët, sipas Washington Post, thanë se planet mund të shënojnë “një fazë të re të luftës” që mund të jetë “dukshëm më e rrezikshme” për forcat amerikane sesa katër javët e para të luftimeve.

Sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti, çdo mision tokësor nuk do të arrinte në një pushtim të plotë dhe mund të përfshijë bastisje nga forcat speciale dhe këmbësoria konvencionale.

Ata thanë se operacionet mund t’i ekspozojnë trupat ndaj “dronëve dhe raketave, zjarrit nga toka dhe eksplozivëve të improvizuar”.

“Është detyra e Pentagonit të bëjë përgatitje për t’i dhënë Komandantit të Përgjithshëm opsione maksimale”, citohet të ketë thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Kjo nuk do të thotë se presidenti ka marrë një vendim”, shtoi ajo.

Diskutimet kanë përfshirë operacione të mundshme që synojnë ishullin Kharg, një qendër kyçe për eksportin e naftës iraniane, si dhe bastisje bregdetare pranë Ngushticës së Hormuzit për të neutralizuar kërcënimet ndaj transportit detar.

Zyrtarët thanë se misionet e mundshme mund të zgjasin “javë, jo muaj”, ndërsa të tjerë vlerësuan “disa muaj”.

Trump më parë ka deklaruar se nuk do të dërgoj trupa “askund”, ndërsa sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se “nuk do të jetë një konflikt i zgjatur” dhe se objektivat mund të arrihen “pa trupa tokësore”.

Zyrtarët thanë se 13 trupa amerikane janë vrarë dhe më shumë se 300 janë plagosur në sulme në të gjithë rajonin që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit.

Opinioni publik mbetet i ndarë, me një sondazh që tregon se 62 për qind kundërshtojnë dërgimin e trupave tokësore në Iran, ndërsa 12 për qind e mbështesin këtë masë.

Analisti ushtarak, Michael Eisenstadt, paralajmëroi për rreziqet, duke theksuar se “nuk do të doja të isha në atë hapësirë të vogël me aftësinë e Iranit për të hedhur një shi dronësh”.

Ai shtoi se lëvizshmëria është thelbësore, duke theksuar se “shkathtësia është pjesë e mbrojtjes së forcës”.

Përshkallëzimet rajonale kanë vazhduar që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një ofensivë kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.300 persona deri më tani, përfshirë edhe liderin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke tronditur tregjet globale dhe aviacionin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.