Bota

Pashinyan dëshiron të integrojë sistemin energjetik të Armenisë me Turqinë dhe Azerbajxhanin

Kryeministri armen Nikol Pashinyan tha se integrimi i sistemit energjetik të vendit të tij me ato të Azerbajxhanit dhe Turqisë do të ishte hapi i duhur.

Ruslan Rehimov  | 29.01.2026 - Përdıtësım : 29.01.2026
Pashinyan dëshiron të integrojë sistemin energjetik të Armenisë me Turqinë dhe Azerbajxhanin

Ankara

Kryeministri armen Nikol Pashinyan tha se integrimi i sistemit energjetik të vendit të tij me ato të Azerbajxhanit dhe Turqisë do të ishte hapi i duhur, transmeton Anadolu.

Pashinyan i bëri këto komente në një konferencë për media ku diskutoi për linjat energjetike dhe lidhjet e transportit të vendit të tij.

"Krijimi i një qendre të vetme rajonale të energjisë mund ta transformonte Kaukazin Jugor në një eksportues të fortë të energjisë në tregjet ndërkombëtare", deklaroi Pashinyan.

Ai tha se integrimi i sistemit energjetik të Armenisë me ato të Azerbajxhanit dhe Turqisë do të ishte hapi i duhur.

"Armenia dhe Azerbajxhani kanë kapacitete prodhimi energjie që tejkalojnë nevojat e tyre. Kjo hap rrugën për bashkëpunim të dobishëm reciprok. Armenia është e interesuar të përdorë infrastrukturën e Azerbajxhanit për të dalë në tregje më të gjera. Në këmbim, Azerbajxhani do të fitonte aftësinë për të tranzituar energji elektrike përmes Armenisë në Nakhchivan dhe destinacione të tjera", tha kryeministri armen.

- "Nëse Rusia nuk dëshiron të investojë, do ta bëjmë vetë"​​​​​​​

Pashinyan potencoi gjithashtu çështjen e riparimit nga Rusia të disa pjesëve të linjave hekurudhore brenda kufijve të Armenisë që shtrihen në Azerbajxhan dhe Turqi.

"Ne kemi paraqitur kërkesë me shkrim lidhur me këtë çështje. Nuk e di nëse ka pasur ende përgjigje, por në përgjithësi po shohim sinjale pozitive dhe shpresojmë se procesi do të përshpejtohet. Nëse Rusia nuk dëshiron të investojë, ne do t'i marrim përsipër këto pjesë dhe do të bëjmë gjithçka vetë", tha ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.