Parlamenti grek miraton ligj të ri për azilkërkuesit
Ligji synon të zbut presionin në ishujt e Egjeut Lindor duke përshpejtuar procedurat e nevojshme për kthimin në Turqi ë migrantëve të cilët nuk i plotësojnë kërkesat për t’u dhënë azil

Ankara
Parlamenti i Greqisë ka miratuar një ligj të ri të diskutueshëm për azilkërkuesit duke synuar të kontrollojë numrin e migrantëve që hyjnë në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ligji synon të zbut presionin në ishujt e Egjeut Lindor duke përshpejtuar procedurat e nevojshme për kthimin në Turqi ë migrantëve të cilët nuk i plotësojnë kërkesat për t’u dhënë azil.
Projektligji u mbështet nga deputetët në pushtet të Demokracisë së Re dhe partisë Lëvizja për Ndryshim.
Koalicioni i së majtës radikale (SYRIZA), partia komuniste greke (KEE), Zgjidhja Greke dhe Mera25 votuan kundër ligjit.
Votimi erdhi pas një debati të tensionuar midis kryeministrit grek, Kyrialkos Mitsotakis dhe liderit të opozitës SYRIZA, Alexis Tsipras.
“Ligji për azilin jep një mesazh të qartë... ata që e dinë se nuk e meritojnë azilin, por që përpiqen të hyjnë dhe të qëndrojnë në vendin tonë, nuk do të tolerohen më”, tha Mitsotakis.
Kryeministri grek është zotuar se do të marrë një qëndrim shumë më të rreptë se qeveria e kaluar e të majtës radikale SYRIZA dhe ka premtuar se do të deportojë rreth 10 mijë migrantë deri në fund të vitit 2020.
Sipas Human Rights Watch, që nga fillimi i vitit 2019, gjithsej 53.462 azilkërkues kanë arritur nga Turqia në ishujt e Detit Egje, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2018 arritën 42.010 azilkërkues.
Organizata tha se situata në ishujt grekë ku 34.400 gra, burra e fëmijë janë bllokuar në kushte të mjerueshme, ka arritur në një pikë krize.
Dje, Dunja Mijatovic, komisare për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, pas vizitës në kampet Lesvos dhe Samos tha se situata ishte përkeqësuar në mënyrë dramatike dhe shprehu shqetësim për projektligjin se mund të çojë në abuzime të të drejtave të njeriut. Ajo përshkroi situatën si “eksplozive”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.