Bota

Parlamenti britanik sërish votoi kundër zgjedhjeve të reja

Parlamenti britanik sërish refuzoi propozimin e kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme më 15 tetor

Hasan Esen  | 10.09.2019 - Përdıtësım : 10.09.2019
Parlamenti britanik sërish votoi kundër zgjedhjeve të reja

Londër

Parlamenti britanik sërish refuzoi propozimin e kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme më 15 tetor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Parlamenti diskutoi disa nga projektligjet e paraqitura nga opozita lidhur me Brexit-in para se shtëpia ligjvënëse të fillojë pushimet në kuadër të kërkesës së qeverisë.

Së pari, u diskutua projektligji, i cili detyron qeverinë të publikojë dokumentet dhe planet lidhur me fillimin e pushimeve të Parlamentit dhe ndarjen pa marrëveshje.

Projektligji i paraqitur nga Dominic Grieve, i cili dha dorëheqje nga Partia Konservatore në pushtet, u miratua me 311 vota 'pro' dhe 302 'kundër'.

Nëse projektligji merr edhe miratimet e tjera të nevojshme, do të jetë e mundshme të deklarohen jo vetëm planet ose dokumentet zyrtare, por edhe shkresat ndërkombëtare nëpërmjet postave elektronike, mediave sociale dhe aplikacioneve të ndryshme si WhatsApp të zyrtarëve të qeverisë.

Në parlament gjithashtu u diskutua edhe një projektligj që e bën të detyrueshëm zbatimin e ligjit për të parandaluar një Brexit pa marrëveshje. Për shkak se nuk pati asnjë kundërshtim për draftin e paraqitur nga Partia e Punës, teksti u pranua pa u votuar.

Në këtë mënyrë nëse qeveria nuk arrin të sigurojë një marrëveshje për Brexit-in me Bashkimin Evropian (BE) deri më 19 tetor ose nuk merr miratimin e Parlamentit për një ndarje pa marrëveshje, është bërë e detyrueshme të zbatohet ligji i cili kërkon nga BE-ja shtyrjen me një periudhë 3-mujore.

- Refuzimi i dytë ndaj kërkesës për zgjedhje të parakohshme

Në Parlament sërish u refuzua propozimi i kryeministrit Johnson për zgjedhje të parakohshme.

Propozimi, i cili parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 15 tetor, mori 293 vota 'pro' dhe 46 vota 'kundër' por nuk arriti të marrë shumicën e dy të tretave të nevojshme për të kaluar në Parlamentin me 650 anëtarë.

Duke folur pas votimit, Johnson akuzoi parlamentarët se "Ata janë duke menduar që e dinë më mirë se populli britanik që votoi për Brexit-in".

Pas këtij votimi Parlamenti filloi periudhën e pushimeve deri më 14 tetor. Anëtarët opozitarë kundër vendimit kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet: "Jemi bërë të heshtim" ndërsa gjatë braktisjes së sallës nga anëtarët e Partisë Konservatore ata kanë brohoritur me sloganet të "Turp të keni". 

- Procesi i Brexit-it

Kryeministri britanik Johnson shpeshherë ka përsëritur vendosmërinë e tij për të ndarë Britaninë nga BE-ja, me ose pa një marrëveshje më 31 tetor.

Marrëveshja për Brexit-in që ish-kryeministrja Theresa May arriti me BE-në është refuzuar tre herë në Parlament.

Pas vendimit të May për të dhënë dorëheqjen, Johnson u zgjodh kryeministër me votat e rreth 150 mijë anëtarëve të Partisë Konservatore.

Parlamenti britanik parandaloi Brexit-in pa marrëveshje që duhej të realizohej më 29 mars duke miratuar një ligj dhe më pas qeveria me miratimin e BE-së e shtyu Brexit-in deri më 31 tetor.

Në referendumin e vitit 2016, Britania e Madhe vendosi të largohej nga BE-ja me 52 për qind 'pro' ndërsa 48 për qind ishin 'kundër'.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın