Bota

Paqja mbetet "ëndërr e paarritshme" për familjen siriane

Në kohën kur bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Paqes më 21 Shtator, familja siriane Ahmed vazhdon të luftojë për mbijetesë në tenda në zonën rurale të provincës veriore Azez të Sirisë

Meryem Göktaş  | 21.09.2019 - Përdıtësım : 22.09.2019
Paqja mbetet "ëndërr e paarritshme" për familjen siriane ( Meryem Göktaş - Anadolu Agency )

Ankara

Gjersa konflikti në Sirinë e shkatërruar nga lufta ende vazhdon, një familje që jeton në kushte të vështira të luftës kërkon të ketë një të ardhme më të ndritshme që vjen së bashku me paqen.

Në kohën kur bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Paqes më 21 Shtator, familja siriane Ahmed vazhdon të luftojë për mbijetesë në tenda në zonën rurale të provincës veriore Azez të Sirisë.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Muhamed Ahmed, baba i gjashtë fëmijëve, tha se për të, paqja do të thotë të kthehet në vendlindje.

Me fillimin e konfliktit, tha Ahmed, ai humbi shumë nga të afërmit, miqtë, shtëpinë dhe makinën e tij.

"Ne nuk kemi asgjë, por vetëm familja jonë ka mbetur," tha ai, duke shtuar se qëllimi i tij i vetëm është t'u sigurojë fëmijëve të tij një të ardhme të ndritshme.

“Në momentin që u larguam nga shtëpia jonë, nuk kishte më paqe, liri, siguri dhe të ardhme për ne. Paqja do të ketë kuptim për ne vetëm kur të kthehemi në shtëpinë tonë. Nuk mund të flasim për paqen derisa jemi shumë larg nga shtëpia", tha Ahmed.

Ai shprehet se paqja ende vazhdon të jetë si një "ëndërr e paarritshme", pasi konflikti sirian ka hyrë në vitin e nëntë.

- Zhvendosja

Ahmed tha se familja e tij u zhvendos nga një vend në tjetrin para se të vendosej në kampin në Azez.

Herën e parë që u detyrua të zhvendosej ishte pasi një raketë goditi shtëpinë e tyre, tregon ai.

"Djali im Ali u frikësua, saqë humbi aftësinë për të folur për një kohë të gjatë", vazhdon Ahmed.

Më vonë, kur regjimi i Asadit u afrua në qytetin e tij të lindjes Safira, Ahmedit iu desh të ikte nga rajoni me familjen e tij në Al-Bab, nga ku ata u detyruan të lëvizin përsëri pasi DEASH-i mori kontrollin e rajonit.

Sipas OKB-së, 6,2 milionë njerëz, përfshirë 2,5 milionë fëmijë, janë shpërngulur brenda Sirisë, që paraqet popullsinë më të madhe të zhvendosur brenda kufijve në botë.

"Pas një kohe të gjatë përpjekjesh, erdha në pjesët veriore të Sirisë. Kur erdhëm këtu, u deshëm ta fillonim jetën nga e para", thotë më tej Ahmed.

"Nuk mund të gjeja shtëpi. Oganizatat humanitare na dhanë një tendë, por ajo nuk ishte e mjaftueshme për familjen time. Me mjetet e mia, unë bleva dy tenda të tjera", shton ai.

Duke folur për vështirësitë që familja e tij kaloi gjatë kohës së zhvendosjes, Ahmed tha se pavarësisht dhimbjes, ai është mirënjohës që familja e tij është e bashkuar.

“Jeta kalon, ne plakemi. Qëllimi ynë është një e ardhme më e ndritshme për fëmijët tanë. Nuk ka paqe për fëmijët tanë në këto tenda. Fëmijët tanë do të jetojnë në paqe dhe do të kenë një të ardhme vetëm kur të kthehemi në shtëpinë tonë", potencon ai.

45-vjeçari tha se para se të detyrohej të largohej nga shtëpia, ai punonte në bujqësi.

"Edhe pse nuk është profesioni im, por fillova të punoj në ndërtim këtu", tha ai, duke shtuar se ai duhet të vazhdojë të siguronte jetesën për familjen e tij.

- Shpresë për një të ardhme të ndritshme

Gruaja e tij, Merve, tha se është e lumtur që burri i saj është gjallë, duke qenë ushqyes i familjes që kujdeset për të dhe nevojat e fëmijëve të tyre.

"Kam humbur shumë të afërm në këtë luftë", tha ajo, duke shtuar se lufta ka lënë plagë të thella tek ajo.

"Për të ardhmen e fëmijëve të mi, kjo luftë duhet të marrë fund", shprehet Merve.

Duke folur për fëmijët e saj, Merve tha se djali i saj dhjetëvjeçar Ali ishte ai që u ndikua më shumë nga shpërnguljet e vazhdueshme.

Ali, nga ana e tij, tha se nuk e kujton asnjë ditë në paqe.

"Unë nuk e di se çfarë do të thotë paqja. Babai im gjithmonë na tregon histori për shtëpinë tonë në Safira dhe të afërmit tanë dhe lagjen në të cilën jetonim. Nuk mbaj mend në çfarë mjedisi jetonim", tha ai.

Ali tha se kujton vetëm lëvizjen nga një vend në tjetrin, duke shtuar se do të dëshironte të jetonte në një shtëpi e jo në tenda, të cilat bëhen më të ftohta dhe me baltë gjatë dimrit.

"Thonë se paqja është e bukur", tha ai me një buzëqeshje në fytyrë.

Pavarësisht luftës, Ali tha se ende ëndërron të bëhet mësues një ditë.

"Dua të kujdesem për fëmijët, por kryesisht dua të ndihmoj babain tim, sepse lodhet shumë", tha ai.

Lufta në Siri filloi në vitin 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit përdori dhunë të papritur për t'i shtypur protestat prodemokratike.

Që atëherë, sipas OKB-së, qindra mijëra njerëz janë vrarë në konflikt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın