Bota

Papa Leoni XIV përsëriti thirrjen për paqe derisa largohej nga Libani

"Në këtë frymë vëllazërie dhe angazhimi për paqen shpresojmë të përfshijmë të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë ata që aktualisht e konsiderojnë veten armiq", tha Papa Leoni

Ethem Emre Özcan, Barış Seçkin  | 02.12.2025 - Përdıtësım : 02.12.2025
Papa Leoni XIV përsëriti thirrjen për paqe derisa largohej nga Libani Foto: Houssam Shbaro/AA

Bejrut

Kreu i Vatikanit, Papa Leoni XIV përfundoi programin e tij në Bejrut dhe u largua nga Libani, raporton Anadolu.

Pasi zhvilloi takime në Bejrut si pjesë e vizitës së tij zyrtare tre-ditore, Papa Leoni u nis për në aeroportin ndërkombëtar "Rafic Hariri" për fluturimin e tij për në Romë të Italisë.

Në fjalimin e tij në ceremoninë e lamtumirës, ​​ku morën pjesë kryetari i Parlamentit, Nabih Berri dhe kryeministri Nawaf Salam, presidenti libanez Joseph Aoun tha se vizita e Papës do të lërë përshtypje të paharrueshme në kujtesën e Libanit dhe popullit të tij.

"Ju sollët mesazhe shprese dhe paqeje në Liban, vizituat rajone të ndryshme dhe u pritët me shumë dashuri nga të gjitha segmentet e shoqërisë. Ky interes zbulon dëshirën e thellë që ndjen populli ynë për paqe dhe stabilitet", tha Aoun.

Ai falënderoi Papa Leonin për vizitën e tij, duke thënë: "Në takimet tuaja me popullin libanez, ne ndjemë dashurinë që keni për këtë vend dhe sinqeritetin e mesazhit tuaj".

- "Të mbarojnë sulmet dhe armiqësitë"

Papa Leoni tha se kaloi një kohë të mrekullueshme në Liban dhe se largimi është i vështirë për të. "Nuk po ndahemi, përkundrazi pasi u takuam me njëri-tjetrin, do të vazhdojmë të ecim përpara së bashku. Në këtë frymë vëllazërie dhe angazhimi për paqen shpresojmë të përfshijmë të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë ata që aktualisht e konsiderojnë veten armiq", tha ai.

Duke theksuar se vizita e tij në vendin e shpërthimit në portin e Bejrutit e ka prekur thellësisht, Papa tha se lutet për ata që humbën jetën në tragjedinë që ndodhi më 4 gusht 2020.

Papa Leoni shtoi se aktualisht në jug të vendit po përjetohet "tension dhe paqëndrueshmëri". "Le të marrin fund sulmet dhe armiqësitë. Duhet të pranojmë që lufta e armatosur nuk shërben më për asnjë qëllim. Armët vrasin, ndërsa negociatat, ndërmjetësimi dhe dialogu janë konstruktive. Le të zgjedhim paqen jo vetëm si qëllim, por edhe si rrugë", tha kreu i Vatikanit.

Pas fjalimeve, avioni që mbante Papën dhe delegacionin e tij u nis nga aeroporti i Bejrutit.

Pas vizitës së tij në Turqi, Papa Leoni XIV udhëtoi për në Liban më 30 nëntor dhe zhvilloi takime zyrtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın