Papa Leoni kritikon “zhurmën e armëve” në Liban, bën thirrje për unitet dhe dhembshuri
Ai theksoi nevojën për t’i besuar njëri-tjetrit në mënyrë që “fuqia rigjeneruese e faljes dhe mëshirës të triumfojë”, duke shtuar se frytet e këtij mesazhi janë të dukshme në qëndrueshmërinë e Libanit
Bejrut/Stamboll
Papa Leoni ka kritikuar atë që e quajti “zhurmë të armëve” në Liban dhe ka bërë thirrje për dashuri dhe unitet midis përbërësve të vendit arab, transmeton Anadolu.
Komentet e tij erdhën pas takimit me peshkopë, priftërinj, mirgjesha, persona të shenjtuar dhe punonjës baritorë në Kishën e Zonjës Sonë të Libanit në Harissa në veri të Bejrutit.
Sipas organizatorëve të ngjarjes, kisha ishte e mbushur me rreth 2.700 njerëz që erdhën nga Libani, vendet fqinje, Evropa, SHBA-ja dhe Australia.
“Në Libanin e sotëm, ju jeni ata që janë përgjegjës për shpresën”, tha Papa.
Ai theksoi nevojën për t’i besuar njëri-tjetrit në mënyrë që “fuqia rigjeneruese e faljes dhe mëshirës të triumfojë”, duke shtuar se frytet e këtij mesazhi janë të dukshme në qëndrueshmërinë e Libanit.
Të krishterët, tha Papa, mund të qëndrojnë të palëkundur në shpresë “edhe kur janë të rrethuar nga zhurma e armëve”, si dhe kërkoi ata të shohin Virgjereshën Mari si një model besimi në kohë të errëta dhe të pasigurta.
Ai tha se të krishterët janë të thirrur të festojnë “fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, faljen mbi hakmarrjen”.
Pas kësaj, ai u drejtua për në nuanciaturën apostolike aty pranë për të zhvilluar një takim privat me patriarkët katolikë.
Papa gjithashtu është planifikuar të takohet me krerët e sekteve muslimane dhe të krishtera në Bejrutin qendror, përpara se të marrë pjesë në një takim të të rinjve të krishterë në Sheshin Patriarkal në Bkerki, në veri të Bejrutit.
Më herët, Papa vizitoi varrin e Shën Charbelit në qytetin Annaya, në qarkun Jbeil në veri të Bejrutit, ku kërkoi paqe për botën dhe për Libanin.
Papa mbërriti mes kambanave të kishave që binin dhe u shoqërua në faltoren e Shën Charbelit, ku ishin të pranishëm presidenti libanez, Joseph Aoun dhe Patriarku Maronit Kardinal, Bechara Boutros al-Rahi.
Sipas gazetarit të Anadolu-t, mijëra njerëz u rreshtuan buzë rrugës nga qyteti Jbeil deri në qytetin Annaya, duke mbajtur flamuj të Vatikanit dhe libanezë.
Varri i Shën Charbelit konsiderohet si një nga vendet më të shquara fetare të krishtera në Liban, duke tërhequr vizitorë dhe pelegrinë nga brenda dhe jashtë vendit që kërkojnë bekime dhe shërim.
“Motra dhe vëllezër, sot ia besojmë ndërmjetësimit të Shën Charbelit nevojat e kishës, Libanit dhe botës”, tha Papa në një fjalim atje.
Dje, Papa Leoni XIV mbërriti në Liban për një vizitë 3-ditore pas një vizite 3-ditore në Turqi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
