Papa Leoni: Islamofobia në Evropë ushqehet nga ata që kërkojnë të përjashtojnë të tjerët
Papa Leoni theksoi se bashkëjetesa e të krishterëve dhe muslimanëve në Liban ofron mësime për Evropën dhe Amerikën e Veriut dhe se duhet ndjekur rrugë për dialog të vërtetë dhe respekt
Romë
Papa Leoni ka deklaruar se islamofobia në Evropë shpesh ushqehet nga ata që kërkojnë të përjashtojnë njerëzit me fe ose prejardhje etnike të ndryshme, transmeton Anadolu.
Ai theksoi se bashkëjetesa e të krishterëve dhe muslimanëve në Liban ofron mësime për Evropën dhe Amerikën e Veriut dhe se duhet ndjekur rrugë për dialog të vërtetë dhe respekt.
Papa u kthye në Romë me një avion të posaçëm të kompanisë ITA Airways të caktuar për udhëtimin e tij, pasi përfundoi vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit, që përfshinte Turqinë dhe Libanin.
Duke folur për gazetarët që e shoqëronin, ai dha vlerësime për vizitën e tij si dhe për zhvillime të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale.
Papa u pyet nëse synon të përdorë lidhjet e tij me presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pas deklaratave të tij të fundit se “Izraeli është miku ynë” për të ndihmuar në ndalimin e sulmeve të Izraelit ndaj Libanit dhe nëse është e mundur paqja e qëndrueshme në rajon.
“Së pari, po, besoj se paqja e qëndrueshme është e mundur. Kam filluar të flas me disa nga udhëheqësit që përmendët, edhe në një mënyrë shumë të kufizuar dhe synoj të vazhdoj ta bëj këtë personalisht ose përmes Vatikanit”, tha Papa.
Papa Leoni tha se kishte zhvilluar gjithashtu bisedime në Liban me autoritete politike të lidhura me konfliktet e brendshme dhe ndërkombëtare.
Ai tha se gjithashtu zhvilloi bisedime në Liban me autoritetet politike të lidhura me konfliktet e brendshme dhe ndërkombëtare.
“Puna jonë, në thelb, nuk është diçka që e njoftojmë publikisht. Është më shumë një veprimtari që e zhvillojmë prapa skenës. Në fakt, ne tashmë e bënim këtë dhe do të vazhdojmë të përpiqemi të bindim palët të braktisin armët dhe dhunën, të ulen në tryezën e dialogut dhe të kërkojnë zgjidhje që nuk përfshijnë dhunë dhe që mund të jenë më efektive dhe më të mira për njerëzit”, tha ai.
I pyetur nëse grupi libanez Hezbollah e kishte marrë mesazhin e tij të lidhur me vizitën, Papa u përgjigj: “Po, e pashë atë. Është e qartë se Kisha propozon braktisjen e armëve dhe kërkimin e dialogut. Por përtej kësaj, preferoj të mos komentoj në këtë kontekst”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi tensionet në rritje midis NATO-s dhe Rusisë dhe propozimit të Trumpit për një plan të paqes për Ukrainën që fillimisht e përjashtonte Evropën, Papa tha: “Ky është natyrisht një çështje shumë e rëndësishme për paqen botërore. Por Vatikani nuk ka përfshirje të drejtpërdrejt, sepse ne nuk jemi anëtarë të NATO-s dhe as nuk kemi luajtur një rol të drejtpërdrejtë në dialogun e zhvilluar deri tani. Megjithatë, ne kemi bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për një armëpushim, për dialog dhe për përfundimin e luftës. Por sot, po përballemi me një konflikt me shumë dimensione”.
Ai shtoi se Trump fillimisht kishte konsideruar një plan të paqes pa pjesëmarrjen e Evropës.
“Pjesëmarrja e Evropës është në fakt shumë e rëndësishme. Për këtë arsye, ai propozim fillestar u modifikua në përputhje me shqetësimet e shprehura nga Evropa. Mendoj se Italia mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm, sepse nga pikëpamja kulturore dhe historike, Italia ka aftësinë të veprojë si ndërmjetëse midis palëve të ndryshme, përfshirë Ukrainën, Rusinë dhe SHBA-në”, tha ai.
Papa tha se Vatikani mund të mbështesë përpjekje të tilla ndërmjetësimi dhe theksoi se të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të kërkuar një zgjidhje që siguron një paqe vërtet të drejtë për Ukrainën.
I pyetur nga një gazetar se si e sheh bindjen e disa katolikëve se Islami kërcënon identitetin e krishterë të Perëndimit, Papa Leoni tha: “Gjatë qëndrimit tim në Turqi dhe Liban, të gjitha takimet që mbajta u fokusuan pikërisht në paqen dhe respektin mes njerëzve të feve të ndryshme. E vërteta është se e di që kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu”.
“E di që në disa raste ekzistojnë frikëra në Evropë, por ato shpesh ushqehen nga ata që kundërshtojnë migracionin dhe që përpiqen të përjashtojnë njerëzit që vijnë nga një vend tjetër, një fe tjetër ose një prejardhje tjetër etnike”, theksoi Papa Leoni.
Ai tha se dialogu dhe miqësia midis muslimanëve dhe të krishterëve janë me të vërtetë të mundshme.
“Mendoj se një nga mësimet e mëdha që Libani mund t’i japë botës është se është një vend ku si Islami ashtu edhe Krishterimi ekzistojnë dhe respektohen, ku bashkëjetesa dhe miqësia janë të mundshme”, u shpreh Papa.
“Historitë që dëgjuam dy ditët e fundit, dëshmi të muslimanëve dhe të krishterëve që ndihmojnë njëri-tjetrin, madje edhe në fshatra që ishin shkatërruar, janë mësime të rëndësishme që duhet të dëgjohen edhe në Evropë ose Amerikën e Veriut. Ndoshta duhet të jemi pak më pak frikacakë dhe të kërkojmë mënyra për të nxitur dialog të vërtetë dhe respekt të ndërsjellë”, tha ai.
Lidhur me tensionet në rritje midis SHBA-së dhe Venezuelës, Papa tha: “Në situata të tilla, ata që zakonisht vuajnë nuk janë autoritetet, por njerëzit. Deklaratat nga Shtetet e Bashkuara ndryshojnë shpesh.”
“Nga njëra anë, thuhet se dy presidentët kanë folur në telefon. Nga ana tjetër, ekziston ky rrezik, kjo mundësi, që mund të ketë një veprim, një operacion, përfshirë një pushtim të territorit venezuelas. Nuk di më shumë. Personalisht shpresoj që të ndiqen rrugët e dialogut, ndoshta sanksione ekonomike, por në çdo rast, një kërkim për dialog”, shtoi ai.
Papa Leoni tha se dëshiron të vizitojë Argjentinën, Uruguajin dhe Perunë, por me shumë gjasë do të udhëtojë fillimisht në Afrikë.
Ai shprehu gjithashtu dëshirën për të vizituar Algjerinë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
