Bota

Pamjet tregojnë operacionin e hedhjes nga ajri të ndihmave mbi Gazën nga avionë ushtarakë

Pamjet tregojnë hap pas hapi procesin e hedhjes nga ajri të ndihmave humanitare mbi Gazë, duke dokumentuar të gjithë operacionin teksa furnizimet u hodhën me parashutë mbi enklavë në kohën kur bllokada izraelite vazhdon

Abdulbesar Ademi  | 30.07.2025 - Përdıtësım : 30.07.2025
Pamjet tregojnë operacionin e hedhjes nga ajri të ndihmave mbi Gazën nga avionë ushtarakë

Gaza

Pamjet e publikuara nga Anadolu tregojnë hap pas hapi procesin e hedhjes nga ajri të ndihmave humanitare mbi Gazë nga një avion ushtarak, duke dokumentuar të gjithë operacionin teksa furnizimet u hodhën me parashutë mbi enklavë në kohën kur bllokada izraelite vazhdon.

Kameramani i pavarur i Anadolu-t mori pjesë në një operacion të hedhjes së ndihmave mbi Rripin e Gazës të mërkurën, më 30 korrik.

Kameramani Ahmed Shoura hipi në një avion transportues ushtarak që u nis nga Baza Ajrore “Mbreti Abdullah II” në qytetin Zarqa të Jordanisë për të dokumentuar përpjekjet për hedhjen e ndihmave humanitare me parashutë mbi Rripin e Gazës.

Ndihmat humanitare të ngarkuara në dy avionë të forcave ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë u hodhën mbi Gazën qendrore.

Izraeli ka mbajtur një bllokadë ndaj Gazës për 18 vjet, ndërsa që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha pikat kufitare, duke bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare dhe duke përkeqësuar edhe më tej gjendjen e rëndë në enklavë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, të paktën 147 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori i vitit 2023, përfshirë 88 fëmijë.

Zyrtarët palestinezë thonë se nevojiten të paktën 500 kamionë ndihma çdo ditë për të përmbushur nevojat e popullsisë prej 2.4 milionë banorësh në territor.

Ushtria izraelite vazhdon me ofensivën brutale ndaj Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 60 mijë palestinezë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesa ekstreme ushqimore.

Të hënën, organizatat izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut-Izrael akuzuan Izraelin për gjenocid në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe shkatërrimin e qëllimshëm të sistemit shëndetësor të territorit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.