Palestinezët vazhdojnë të largohen nga qyteti i Gazës mes ofensivës tokësore izraelite
Të shtyrë nga sulmet e rënda dhe urdhrat për evakuim të detyruar, civilët po lëvizin ditë e natë përgjatë rrugës Al-Rashid

Shkup
Palestinezët në qytetin e Gazës vazhdojnë të largohen drejt pjesëve jugore të enklavës, në kushte të tmerrshme pas sulmeve ajrore izraelite dhe nisjes së një ofensive tokësore, raporton Anadolu.
Të shtyrë nga sulmet e rënda dhe urdhrat për evakuim të detyruar, civilët po lëvizin ditë e natë përgjatë rrugës Al-Rashid.
Të martën, ushtria izraelite e zgjeroi ofensivën në qytetin e Gazës, edhe pse dëshmitarët lokal thanë se nuk ka ndodhur ndonjë depërtim në shkallë të plotë. Në vend të kësaj, Izraeli ka intensifikuar bombardimet, sulmet ajrore dhe shkatërrimin e shtëpive duke përdorur robotë të minuar, në atë që palestinezët e përshkruajnë si pjesë të një fushate të shpërnguljes masive.
Në muajin gusht, qeveria e Izraelit miratoi planin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ripushtuar plotësisht Rripin e Gazës, duke filluar me qytetin e Gazës. Ofensiva filloi më 11 gusht nga lagjja lindore Zeitoun nën operacionin "Karrocat e Gideonit 2", që përfshinte bombardime të rënda, shkatërrime dhe evakuime të detyruara.
Ushtria izraelite ka vazhduar me ofensivën brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 65.100 palestinezë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka detyruar popullsinë të vuajë nga uria.
Të martën, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez konfirmoi se Izraeli ka kryer gjenocid në Rripin e Gazës.