Bota

Palestinezët protestojnë në Rripin e Gazës duke kërkuar t’i jepet fund luftës izraelite

Protestuesit e tubuar para Qendrës Kulturore Rashad al-Shawa mbanin parulla kundër përpjekjeve për të zhvendosur me forcë banorët drejt jugut të Gazës ose jashtë enklavës

Abdulbesar Ademi  | 21.08.2025 - Përdıtësım : 21.08.2025
Palestinezët protestojnë në Rripin e Gazës duke kërkuar t’i jepet fund luftës izraelite Foto: Khames Alrefi/AA

Gaza

Gazetarët dhe banorët palestinezë kanë organizuar një protestë para Qendrës Kulturore Rashad al-Shawa në Rripin e Gazës, duke kërkuar t’i jepet fund luftës izraelite dhe gjakderdhjes së vazhdueshme, raporton Anadolu.

Protestuesit mbanin parulla kundër përpjekjeve për të zhvendosur me forcë banorët drejt jugut të Gazës ose jashtë enklavës.

Demonstrata pa gjithashtu pjesëmarrjen e të rinjve dhe fëmijëve palestinezë, duke theksuar kundërshtimin e gjerë ndaj konfliktit dhe planeve të zhvendosjes.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë të paktën 62.200 palestinezë në Gaza, si dhe ka shkatërruar enklavën e cila po përballet me uri.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.