Palestinezët në Izrael protestojnë kundër urisë dhe gjenocidit në Gaza
- Ata mbanin pankarta që shkruanin "Le të hyjë ndihma", "Ndalojeni luftën në Gaza", "Së bashku kundër urisë" dhe "Mjaft me vrasjet". Disa mbanin imazhe të fëmijëve të dobësuar në Gaza, që tregonin shenja të dukshme të urisë

Sakhnin
SAKHNIN (AA) - Palestinezët në qytetet arabe në të gjithë Izraelin organizuan protesta për të denoncuar krizën e urisë dhe fushatën e vazhdueshme ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, të cilën e përshkruan si një akt gjenocidi, raporton Anadolu.
Demonstruesit u mblodhën në Jaffa, Tira, Rahat dhe fshatin verior Kabul, duke goditur tenxhere bosh dhe duke kënduar kundër luftës dhe bllokadës së ushqimit në Gaza.
Ata mbanin pankarta që shkruanin "Le të hyjë ndihma", "Ndalojeni luftën në Gaza", "Së bashku kundër urisë" dhe "Mjaft me vrasjet". Disa mbanin imazhe të fëmijëve të dobësuar në Gaza, që tregonin shenja të dukshme të urisë.
Protestat u organizuan përpara një demonstrate të madhe të planifikuar më vonë gjatë ditës në qytetin Sakhnin, me thirrje të Komitetit të Lartë të Ndjekjes për Qytetarët Arabë të Izraelit, organi më i lartë përfaqësues i palestinezëve në vend.
Policia izraelite u vendos në afërsi të tubimeve, por nuk u raportuan përleshje. Dëshmitarët thanë se policia ndaloi autobusët që shkonin në Sakhnin me pretekstin e kërkimit të flamujve palestinezë.
Mobilizimi i paraprin gjithashtu një greve urie tre-ditore që do të fillojë të dielën në qytetin Jaffa, ku do të marrin pjesë figura politike, akademike dhe publike nga komuniteti palestinez në Izrael.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 122 palestinezë, përfshirë 83 fëmijë, kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë në Rripin e Gazës të paktën 59.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.