Palestinezët në Gaza ecin me kilometra për të arritur në qendrat e ndihmës për pak miell
- Pamjet nga vendi tregojnë radhë të gjata dhe kushte të mbipopulluara, teksa njerëzit, shumë prej tyre zbathur ose me fëmijë në krah, prisnin për orë të tëra për të marrë atë pak që kishte mbërritur

Shkup
GAZA (AA) - Qindra palestinezë në pjesën qendrore të Gazës janë parë duke ecur distanca të gjata për të arritur në një qendër të shpërndarjes së ndihmave, me shpresën për të marrë sasi të kufizuara mielli të dërguar përmes Korridorit Netzarim, raporton Anadolu.
Ndihmat që përbëhen nga sasi të vogla mallrash thelbësore, tërhoqën turma të mëdha njerëzish në pikat e shpërndarjes.
Pamjet nga vendi tregojnë radhë të gjata dhe kushte të mbipopulluara, teksa njerëzit, shumë prej tyre zbathur ose me fëmijë në krah, prisnin për orë të tëra për të marrë atë pak që kishte mbërritur.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka vendosur një bllokadë totale ndaj Gazës, duke ndaluar hyrjen e ushqimeve, barnave dhe ndihmave humanitare. Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar vazhdimisht për një uri të shkaktuar nga njeriu, pa asnjë shenjë lehtësimi.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën brutale ndaj Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar tërësisht enklavën, kanë shkaktuar mungesa ekstreme ushqimi dhe përhapje sëmundjesh.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën ndaj enklavës palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.