Palestinezët nxitojnë drejt kutive të hedhura nga ajri për ndihma humanitare në Gaza
Banorët, shumë prej të cilëve pritën për orë të tëra nën vapë të madhe, përpiqen të marrin diçka nga paketat e hedhura. Një pjesë e vogël e tyre arrijnë t’i siguronin ndihmat pavarësisht kushteve të vështira

Gaza
Përpjekjet për të dërguar ndihma humanitare në Rripin e Gazës me anë të hedhjeve nga ajri vazhdojnë, teksa enklava mbetet nën sulm dhe bllokadë izraelite, raporton Anadolu.
Aeroplanë ushtarakë transportues hodhën me parashutë furnizime ndihmash mbi rajon, ndërsa palestinezët mblidhen në perëndim të Kampit të Refugjatëve Nuseirat për t’i marrë ato.
Banorët, shumë prej të cilëve pritën për orë të tëra nën vapë të madhe, përpiqen të marrin diçka nga paketat e hedhura. Një pjesë e vogël e tyre arrijnë t’i siguronin ndihmat pavarësisht kushteve të vështira.
Ministria e Shëndetësisë së Gazës bëri të ditur se 22 palestinezë u vranë dhe 269 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma humanitare në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të palestinezëve të vrarë gjatë kërkimit të ndihmave në 1.881.
Gjithashtu u raportua se katër persona kanë vdekur në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes. Kjo e çoi në 239 numrin total të viktimave nga uria, përfshirë 106 fëmijë, teksa kriza humanitare në enklavë thellohet.
Në nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu po përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.