Palestinezët falën namazin e parë të xhumasë në Ramazan mes rrënojave të xhamive të shkatërruara
Ndër xhamitë ku banorët e Gazës u mblodhën për të falur namazin e xhumasë ishte edhe xhamia "Imam Shafi'i" në lagjen Zaytoun në veri të enklavës, mes rrënojave të të cilës besimtarët kryen lutjet
Gaza
Palestinezët janë mbledhur në xhamitë e Gazës për të falur namazin e parë të xhumasë në muajin e Ramazanit, pavarësisht dëmeve të mëdha të xhamive nga sulmet ajrore izraelite, raporton Anadolu.
Ndër xhamitë ku banorët e Gazës u mblodhën për të falur namazin e xhumasë ishte edhe xhamia "Imam Shafi'i" në lagjen Zaytoun në veri të enklavës, mes rrënojave të të cilës besimtarët kryen lutjet.
Gjatë këtij muaji të Ramazanit, muslimanët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke u përmbajtur nga ushqimi, pijet dhe intimiteti fizik. Ata inkurajohen të shtojnë lutjet e tyre, veçanërisht gjatë natës, të lexojnë Kuranin e Shenjtë, të angazhohen në dhënien e bamirësisë dhe të mbështesin sjelljen e drejtë.
Të paktën 48.400 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe më shumë se 111.800 të tjerë janë plagosur në sulmet brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Sulmet, që e kanë lënë enklavën në gërmadha, u ndaluan në bazë të një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi më 19 janar.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrin të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën brutale në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
