Palestinezët vazhdojnë të ikin për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite në veri të Gazës
Pamje nga Anadolu tregojnë se popullsia lokale përparon drejt Gazës qendrore nëpërmjet Rrugës “Racheed”, duke udhëtuar me automjete, karroca të tërhequra nga kuajt dhe në këmbë, duke mbajtur sendet e tyre personale.

Shkup
Palestinezët vazhdojnë të ikin për shkak të sulmeve intensive të ushtrisë izraelite në pjesën veriore të Rripit të Gazës.
Pamje nga Anadolu tregojnë se popullsia lokale përparon drejt Gazës qendrore nëpërmjet Rrugës “Racheed”, duke udhëtuar me automjete, karroca të tërhequra nga kuajt dhe në këmbë, duke mbajtur sendet e tyre personale.
Siç raportohet, ushtria izraelite i ka vazhduar sulmet e saj, edhe pse palestinezët u detyruan të largoheshin nga Gaza veriore.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, njoftoi se Rruga “Racheed”, e vendosur në pjesën perëndimore të Rripit të Gazës dhe që lidh jugun dhe veriun nëpërmjet rrugës bregdetare, do të mbyllet për trafikun në drejtim të jugut që nga ora 12:00 e mesditës.
Qeveria në Gaza e përshkroi mbylljen e Rrugës “Racheed “nga Izraeli, një nga rrugët më të ngarkuara të përdorura nga civilët në Rripin e Gazës, si “zbatim arbitrar brenda kuadrit të politikave të gjenocidit”.
Dhjetëra palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën të mërkurën në një seri sulmesh të reja ajrore izraelite në zona të shumta të Rripit të Gazës, sipas dëshmitarëve dhe burimeve mjekësore.
Qeveria e Izraelit miratoi një plan më 8 gusht, të propozuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu, për të ripushtuar gradualisht gjithë Rripin e Gazës, duke filluar me Qytetin e Gazës, ku jetojnë rreth 1 milion palestinezë.
Ushtria më pas nisi një ofensivë në shkallë të gjerë në qytet, duke shkatërruar shtëpi, kulla, prona dhe tenda për të zhvendosurit, duke bombarduar spitalet dhe duke kryer ndërhyrje tokësore.
Izraeli ka vrarë mbi 66.000 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në zi buke.
Aktualisht po bëhen përpjekje për një armëpushim dhe një marrëveshje më të gjerë paqeje për të rindërtuar Gazën sipas një plani prej 20 pikash të shpalosur nga presidenti i SHBA-së Donald Trump këtë javë.