Bota

Palestina: Të paktën 33 mijë gra dhe vajza palestineze të vrarë në sulmet izraelite gjatë 2 viteve

Izraeli kryen “krime sistematike kundër grave palestineze, duke përfshirë gjenocid, vrasje jashtëgjyqësore, zhdukje me forcë, ndalim arbitrar dhe administrativ, torturë dhe dhunë seksuale, prishje të shtëpive, konfiskim të tokës, uri dhe frikësim”

Rania R.a. Abushamala  | 26.11.2025 - Përdıtësım : 26.11.2025
Palestina: Të paktën 33 mijë gra dhe vajza palestineze të vrarë në sulmet izraelite gjatë 2 viteve

Ramallah/Stamboll

Ministria e Shëndetësisë e Palestinës ka bërë të ditur se të paktën 33 mijë gra dhe vajza palestineze janë vrarë në sulmet izraelite gjatë dy viteve, transmeton Anadolu.

Ky njoftim vjen në një deklaratë të lëshuar nga ministria palestineze në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Duke cituar shifrat nga zyra për media e qeverisë së Gazës, ministria tha se më shumë se 12.500 gra dhe 20 mijë fëmijë janë vrarë nga zjarri izraelit në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Izraeli, theksoi ministria, kryen “krime sistematike kundër grave palestineze, duke përfshirë gjenocid, vrasje jashtëgjyqësore, zhdukje me forcë, ndalim arbitrar dhe administrativ, torturë dhe dhunë seksuale, prishje të shtëpive, konfiskim të tokës, uri dhe frikësim”.

Më tej, ministria akuzoi Izraelin për përdorimin e mjeteve dhe teknologjive të avancuara të mbikëqyrjes, duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe spiunazhin kibernetik, për të shënjestruar dhe terrorizuar palestinezët, veçanërisht gratë.

Ministria palestineze theksoi “nevojën urgjente për të ruajtur vrullin ndërkombëtar për t’i dhënë fund pushtimit të paligjshëm kolonial izraelit, për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete me pavarësinë e Shtetit të Palestinës dhe për të mbrojtur të drejtat e patjetërsueshme të popullit palestinez, duke përfshirë të drejtën e tyre për vetëvendosje, pavarësi dhe të drejtën e kthimit pa kufizime”.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite në luftën 2-vjeçare ndaj Gazës ka vrarë gati 70 mijë njerëz, ka plagosur rreth 171 mijë të tjerë, si dhe e ka kthyer pjesën më të madhe të enklavës në rrënoja.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.