Pakistani: Të paktën 26 të vrarë si pasojë e sulmeve me raketa të Indisë
Drejtori për marrëdhënieve me publikun të ushtrisë së Pakistanit, gjenerallejtënant Ahmed Sharif Chaudhry tha se numri i të vrarëve në zonat e sulmuara nga India është rritur në 26 ndërsa numri i të plagosurve në 46

Ankara
Të paktën 26 persona kanë humbur jetën si dhe 46 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të Indisë me raketa, njoftoi ushtria pakistaneze, transmeton Anadolu.
Drejtori i Përgjithshëm i Marrëdhënieve me Publikun të Ushtrisë së Pakistanit (ISPR), gjenerallejtënant Ahmed Sharif Chaudhry deklaroi se numri i të vrarëve në zonat e sulmuara nga India me raketa është rritur në 26 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 46.
Ai theksoi se raketat e lëshuara nga India të cilat goditën shumë pika në vend dëmtuan xhami dhe klinika shëndetësore. Chaudhry tha se 13 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, humbën jetën dhe 37 persona u plagosën në sulmin me raketa në xhaminë Bahawalpur.
Përshkallëzimi midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore vjen pas sulmit të 22 prillit në Pahalgam në Kashmirin e administruar nga India, ku u vranë 26 persona.
India fajësoi Pakistanin për sulmin, duke pretenduar se sulmi kishte lidhje ndërkufitare, por Pakistani mohoi se ka ndonjë lidhje me vrasjet.
Pas sulmit në Pahalgam, të dy vendet morën një sërë masash kundër njëri-tjetrit, përfshirë pezullimin e vizave dhe dëbimin e diplomatëve.