Bota

Pakistani fton ish-kryeministrin indian në përurimin e rrugës Kartarpur

Qureshi tha se vendi i tij vendosi të ftojë ish-kryeministrin Singh “pas konsultimeve”, veprim ky që konsiderohet si një përpjekje diplomatike për të izoluar kryeministrin nacionalist të Indisë, Narendra Modi

Ekip  | 30.09.2019 - Përdıtësım : 01.10.2019
Pakistani fton ish-kryeministrin indian në përurimin e rrugës Kartarpur

Karachi

Pakistani ka ftuar ish-kryeministrin e Indisë, Manmohan Singh, në përurimin e vendkalimit kryesor kufitar për pelegrinët Sikh përderisa këto dy vende fqinje po përballen me tensione mbi hapin e diskutueshëm të muajit të kaluar nga India ndaj Kashmirit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Mehmood Qureshi, tha se vendi i tij vendosi të ftojë ish-kryeministrin Singh “pas konsultimeve”, veprim ky që konsiderohet si një përpjekje diplomatike për të izoluar kryeministrin nacionalist të Indisë, Narendra Modi.

“Unë, si ministër i jashtëm i Pakistanit, e ftoj Sardar-in (një titull nderi për komunitetin Sikh) Manhoman Singh të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të këtij (korridori Kartarpir)”, tha Qureshi në një deklaratë me shkrim.

Është planifikuar që Pakistani dhe India të hapin kufirin Kartarpur, i cili lidh qytetin verilindor Narowal të Pakistanit me rrethin perëndimor Gurdaspur të Indisë, para shënimit të 550 vjetorit të lindjes së themeluesit të fesë Sikh, Baba Guru Nanak.

Kremtimet janë vendosur të mbahen në nëntor në Pakistan.

Qureshi tha se një ftesë me shkrim do t’i dërgohet ish-kryeministrit i cili qëndroi dy mandate në krye të shtetit.

Pakistani po ashtu ftoi komunitetin Sikh nga e gjithë bota, përfshirë Indinë për të marrë pjesë në kremtimet që do të shënojnë lindjen e Baba Guru Nanak.

Tempulli Kartarpur Sahib është një nga tempujt më të nderuar për komunitetin Sikh pasi Baba Guru Nanak kaloi 18 vitet e fundit të jetës së tij atje.

Distanca midis tempullit dhe Gurdaspur-it është vetëm 3 kilometra, por mbyllja e këtij kalimi çon që pelegrinët Sikh nga India të udhëtojnë qindra kilometra, përmes Amritsar dhe Lahore, për të arritur në Kartarpur.

Tensionet midis dy fqinjëve të armatosur bërthamor janë rritur pas lëvizjes së qeverisë indiane më 5 gusht për të revokuar statusin e veçantë të rajonit Xhamu dhe Kashmir.

Rajoni Xhamu dhe Kashmir i administruar nga India ka qenë nën një bllokim gati të plotë që nga ajo kohë, me qeverinë që bllokoi qasjen në komunikim dhe që imponoi kufizime në lëvizje për të parandaluar çdo protestë në rajon.

New Delhi tha se 93 për qind e kufizimeve në rajonin e bllokuar nga konflikti janë lehtësuar, një pretendim që AA nuk mundi ta verifikojë në mënyrë të pavarur.

India dhe Pakistani e administrojnë Kashmirin në pjesë, por e pretendojnë të plotë. Kina po ashtu administron një pjesë të rajonit të diskutueshëm, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra mbi Kashmirin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.