Pakistani: 31 të vdekur nga sulmet ushtarake të Indisë dhe të shtënat ndërkufitare
Numri i të plagosurve është rritur nga 46 në 57, tha zëdhënësi ushtarak gjenerallejtënant Ahmed Sharif Chaudhry

Karaçi
Ushtria e Pakistanit konfirmoi sot se të paktën 31 persona janë vrarë pasi India kreu sulme me raketa në territorin e saj dhe për shkak të të shtënave ndërkufitare përgjatë Vijës së Kontrollit (LoC), kufirit de fakto midis dy vendeve, raporton Anadolu.
Ndërkohë, numri i të plagosurve është rritur nga 46 në 57, tha zëdhënësi ushtarak gjenerallejtënant Ahmed Sharif Chaudhry në një konferencë për shtyp në mbrëmje.
India njoftoi operacionin “Sindoor” të martën vonë në mbrëmje, duke thënë se goditi “infrastrukturën terroriste” në nëntë lokacione në Pakistan.
Përshkallëzimi midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore erdhi pas sulmit të 22 prillit në Pahalgam, në Kashmirin e administruar nga India, në të cilin u vranë 26 persona.
India fajësoi Pakistanin për sulmin, duke pretenduar se kishte lidhje ndërkufitare. Pakistani mohoi përfshirjen dhe bëri thirrje për një hetim neutral.
Zyrtarët indianë thanë se New Delhi ushtroi “të drejtën e tij për t’u përgjigjur dhe për të parandaluar, si dhe për të penguar më shumë sulme të tilla ndërkufitare”.
Pakistani tha se rrëzoi pesë avionë luftarakë indianë dhe se “rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.