Pakistan, shkon në 169 numri i viktimave nga përmbytjet, përfshirë 5 nga rrëzimi i helikopterit
Një helikopter që transportonte ndihma u rrëzua, ku humbën jetën 5 anëtarë të ekuipazhit në veriperëndim të Pakistanit ndërsa përmbytjet shkaktuan 164 viktima në të gjithë vendin

Istanbul
Një helikopter që transportonte furnizime me ndihma u rrëzua, ku humbën jetën 5 anëtarë të ekuipazhit, përfshirë dy pilotë, në provincën veriperëndimore të Pakistanit, Khyber Pakhtunkhwa, ndërsa përmbytjet shkaktuan 164 viktima në të gjithë vendin, tha një zyrtar të premten, transmeton Anadolu.
Helikopteri Mi-17 i qeverisë provinciale po transportonte furnizime me ndihma në zonat e prekura nga shirat e rrëmbyeshëm kur u rrëzua "për shkak të motit të keq", tha kryeministri i provincës, Ali Amin Gandapur.
Shirat dhe përmbytjet e shpejta kanë goditur Pakistanin, duke shkaktuar vdekjen e 164 personave, me 150 në Khyber Pakhtunkhwa, sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA).
NDMA tha se 18 të tjerë u plagosën në provincë ndërsa shumë të tjerë ende rezultojnë të zhdukur, duke shtuar se 5 persona humbën jetën në provincën Gilgit-Baltistan ndërsa 9 në Kashmirin e administruar nga Pakistani, i njohur edhe si Azad Jammu dhe Kashmir.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje të gjera në Khyber Pakhtunkhwa, tha më parë për Anadolu-n zëdhënësi i njësisë së shpëtimit provincial, Bilal Ahmed Faizi. Ekipet e shpëtimit thanë se shiu i rrëmbyeshëm dhe një breshëri resh kishin shkaktuar përmbytje masive në zonën Salarzai të distriktit Bajaur të premten në mëngjes, duke rezultuar në rrënimin e disa shtëpive.
Gandapur tha se helikopteri i rrëzuar po transportonte furnizime për në zonën e Bajaurit. Autoritetet lokale kanë evakuuar shumë njerëz në vende më të sigurta për shkak të shirave dhe rrëshqitjeve të dheut në Khyber Pakhtunkhwa dhe rajonin Gilgit-Baltistan.
NDMA paralajmëruar për një periudhë tjetër shirash musonike nga e premtja deri më 10 shtator. Autoritetet njoftuan se rritja e temperaturave përshpejtoi shkrirjen e borës dhe akullnajave në rajonet me lartësi të madhe, duke rritur rrjedhën e ujit në lumenj.
Shirat musonike, të cilat zakonisht zgjasin nga qershori deri në shtator, shpesh shkaktojnë shkatërrime në të gjithë Azinë Jugore, përfshirë Pakistanin, por ndryshimet klimatike kanë rritur më tej paparashikueshmërinë dhe intensitetin e tyre në vitet e fundit.