Pakistan, policia shpërndan protestën e PTI-së që shënon 2-vjetorin e arrestimit të ish-kryeministrit Imran Khan
Qindra mbështetës të ish-kryeministrit Khan u mblodhën në motoçikleta dhe automjete në jug të kryeqytetit, duke valëvitur flamujt e partisë dhe duke mbajtur postera të liderit të burgosur

Shkup
Policia në kryeqytetin pakistanez Karachi ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit e partisë kryesore opozitare të vendit, Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI), derisa ata protestonin për të shënuar përvjetorin e dytë të arrestimit të ish-kryeministrit Imran Khan, raporton Anadolu.
Qindra mbështetës të ish-kryeministrit Khan u mblodhën në motoçikleta dhe automjete në jug të kryeqytetit, duke valëvitur flamujt e partisë dhe duke mbajtur postera të liderit të burgosur.
Protesta të ngjashme u raportuan edhe në qytete të tjera, përfshirë në Lahore, ku sipas zyrtarëve të sigurisë, policia arrestoi mbi 150 aktivistë të PTI-së gjatë bastisjeve gjatë natës dhe gjatë demonstratave.
Zëdhënësi i PTI-së, Zulfikar Bukhari, pretendoi se mbi 200 aktivistë u arrestuan vetëm në Lahore.
Khan, një ish-yll i kriketit që u emërua kryeministër në vitin 2018, u rrëzua nga pushteti përmes një votimi mosbesimi në parlament në vitin 2022, pasi humbi mbështetjen e ushtrisë së fuqishme të Pakistanit. Arrestimi i tij në maj të vitit 2023 shkaktoi trazira mbarëkombëtare, me protestues që sulmuan objekte ushtarake, gjë që çoi në një goditje të ashpër ndaj PTI-së.
Ish-kryeministri aktualisht po vuan një dënim me 14 vjet burg në Rawalpindi për akuza për korrupsion dhe përballet me dhjetëra çështje të tjera, përfshirë akuza për terrorizëm dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore. Khan i mohon të gjitha akuzat dhe i quan ato të motivuara politikisht.
Në një zhvillim të lidhur, Komisioni Zgjedhor i Pakistanit (ECP) sot i skualifikoi dy figura të larta të PTI-së, përkatësisht Omer Ayub Khan (udhëheqës i opozitës në Asamblenë Kombëtare) dhe Shibli Faraz (udhëheqës i opozitës në Senat), pasi një gjykatë i dënoi me 10 vjet burg për sulmet ndaj objekteve ushtarake gjatë protestave të vitit 2023.
Shtatë deputetë të tjerë të PTI-së, përfshirë lideren parlamentare të Asamblesë Kombëtare, Zartaj Gul, gjithashtu iu hoqën mandatet e tyre.
Vendimi vjen si pasojë e demonstratave të dhunshme pas arrestimit të Khan-it në maj të vitit 2023, gjatë të cilave protestuesit vandalizuan prona ushtarake në Faisalabad dhe qytete të tjera.
Në fund të muajit të kaluar, qindra anëtarë të PTI-së, përfshirë disa deputetë, u dënuan për akuza të lidhura me protestat e vitit 2023.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.