Bota

Pakistan, nga përmbytjet në Punjab evakuohen gjysmë milioni njerëz

Sipas autoriteteve, gjysmë milioni njerëz të tjerë u evakuuan nga rajoni në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e personave të zhvendosur që nga muaji i kaluar në 1,8 milion.

Zeynep Katre Oran  | 04.09.2025 - Përdıtësım : 04.09.2025
Pakistan, nga përmbytjet në Punjab evakuohen gjysmë milioni njerëz

Ankara

MUZAFFARGARH (AA) - Si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm musonik dhe rritja e shpejtë e niveleve të lumenjve në rajonin Punjab në lindje të Pakistanit, në 24 orët e fundit gjysmë milioni njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre drejt zonave të sigurta, transmeton Anadolu.

Zyrtari i Punjabit, Nabeel Javed, deklaroi se veçanërisht qytetet Muzaffargarh dhe Multan të provincës janë vendet më të prekura nga përmbytjet dhe se me si pasojë e tejmbushjes së lumenjve Ravi, Sutlej dhe Chenab në dy javët e fundit janë përmbytur 3.900 fshatra.

Javed u shpreh se gjysmë milioni njerëz të tjerë u evakuuan nga rajoni në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e personave të zhvendosur që nga muaji i kaluar në 1,8 milion.

Po ashtu Javed tha se janë ngritur qytete me tenda për familjet e zhvendosura në Muzaffargarh, Narowal dhe Kasur, dhe se janë shpërndarë ushqime dhe produkte bazë.

Duke njoftuar se në të gjithë Punjabin janë prekur 3,8 milionë njerëz nga përmbytjet, Javed deklaroi se janë duke vazhduar përpjekjet për vlerësimin e dëmeve dhe se qeveria provinciale do të ofrojë ndihmë për ata që kanë humbur shtëpitë e tyre.

Arfan Ali Kathia, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive (PDMA) të rajonit, njoftoi se mijëra personel kërkim-shpëtimi po marrin pjesë në përpjekjet e ndihmës, dhe se ushtria është vendosur për të evakuuar njerëzit dhe kafshët nga zonat e përmbytura në vende të sigurta.

Kathia deklaroi se shirat intensive musonike dhe uji i lëshuar nga digat në Indi kanë ngritur lumenjtë në "nivele të rrezikshme". "Kjo është katastrofa më e keqe e përmbytjeve në historinë e Punjabit", tha Kathia.

Autoritetet raportuan dje se afërsisht 300.000 njerëz që jetojnë në zonat e prekura nga përmbytjet janë evakuuar.

Shirat musonike, të cilat prekin Azinë Jugore midis qershorit dhe shtatorit, shkaktojnë çdo vit katastrofa të mëdha natyrore dhe aksidente në vendet e rajonit, veçanërisht në Indi dhe Pakistan.

Më shumë se 800 njerëz kanë vdekur në përmbytjet e shënuara në të gjithë Pakistanin që nga 26 qershori, dhe afërsisht 300 njerëz kanë vdekur në shtetin indian të Himachal Pradesh që nga fillimi i qershorit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.