Pakistan, humbin jetën 7 punëtorë gjatë riparimit të një kanali të dëmtuar nga përmbytjet
Autoritetet e Pakistanit njoftuan se 299 persona, përfshirë 140 fëmijë, humbën jetën nga përmbytjet dhe shirat e rrëmbyeshëm që kanë prekur vendin që nga 26 qershori

Ankara
Shtatë punëtorë humbën jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën pasi u bllokuan në një rrëshqitje dheu, ndërsa përpiqeshin të riparonin një kanal uji të dëmtuar nga përmbytjet në Pakistan, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve në mediat pakistaneze, punëtorët u bllokuan në një rrëshqitje dheu të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm ndërsa përpiqeshin të riparonin një kanal uji të dëmtuar nga përmbytjet në Gilgit-Baltistan.
Policia dhe ekipet e kërkim-shpëtimit nxorën trupat e shtatë punëtorëve në vendngjarje ndërsa shtatë të tjerë u shpëtuan të plagosur. Për shkak të shirave të rrëmbyeshëm në Gilgit-Baltistan u mbyllën për trafikun edhe disa autostrada.
Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA) i Pakistanit njoftoi se 299 persona, përfshirë 140 fëmijë, humbën jetën ndërsa 715 persona janë plagosur nga përmbytjet dhe shirat e rrëmbyeshëm që kanë prekur vendin që nga 26 qershori.