Orikhiv, qyteti i Ukrainës që mbart shenjat e luftës
"Sulmet kundër qytetit vazhdojnë që nga hyrja e atyre (rusëve) në qytet", theksoi Kkvorostyanov duke bërë të ditur se shpeshherë qyteti goditet nga raketat që lëshojnë forcat ruse

Zaporizhzhia
DAVIT KACHKACHISHVILI -
Qyteti Orikhiv në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës ku lufta vazhdon prej rreth 6 muajsh, mbart shenja të rënda të luftës për shkak të sulmeve nga forcat ruse.
Orikhiv me një popullsi prej rreth 15 mijë banorësh dhe i cili ndodhet rreth 8 kilometra nga vija e frontit në rajonin Zaporizhzhia ku Rusia filloi sulmet më 24 shkurt, shpeshherë bëhet objektiv i forcave ruse.
Është pothuajse e pamundur të shohësh njerëz që ecin nëpër rrugë në qytetin që ushtria ruse mori kontrollin e vendbanimeve të ndryshme në rajonin Zaporizhzhia në muajin mars dhe në të cilin kryen kryesisht sulme artilerike.
Në qytetin ku kryesisht vërehen ushtarë dhe punonjës policie dhe mbizotëron heshtja, tërheqin vëmendjen dëmet e rënda që kanë pësuar si pasojë e sulmeve infrastruktura dhe ndërtesat si shkolla, banesa dhe ndërtesa të bashkive.
Anatoliy Kkvorostyanov, kryetari i Bashkisë së Orikhiv-it në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) lidhur me sulmet që vazhdojnë prej muajsh ndaj qytetit tha se sulmi i fundit në qytet ndodhi më 11 gusht.
"Sulmet kundër qytetit vazhdojnë që nga hyrja e atyre (rusëve) në qytet", theksoi Kkvorostyanov duke bërë të ditur se shpeshherë qyteti goditet nga raketat që lëshojnë forcat ruse.
Kkvorostyanov informoi se forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë nga ajri dhe toka qytetin Orikhiv. Ai pretendon se në qytet janë hedhur edhe disa raketa të ndaluara si bomba fosforike.
"Në qytet ka pasur ditë që në një sulm të vetëm janë lëshuar 150 raketa dhe kjo ka vazhduar 2 deri në 3 orë. Ata lëshojnë mbi ne çdo gjë që kanë. Mund të them se ndaj nesh vetëm armë kimike nuk kanë përdorur", potencoi Kkvorostyanov.
- Fronti ndodhet 8 kilometra larg
Ai thotë se aktualisht nën kontrollin e forcave ruse ndodhen 3 fshatra të qytetit. "Ka pasur periudha kur fronti ka qenë afër deri në 5 kilometra nga ne. Ndërsa tani vija e frontit ndodhet në një distancë prej 8 kilometrash në disa pika dhe në disa të tjera në 11 kilometra. Forcat ruse mund të kryejnë goditje me artileri në mënyrë të lehtë për shkak se ndodhemi afër. Kohët e fundit ka pasur edhe sulme ajrore", tha Kkvorostyanov.
Sipas tij, ushtarët rusë vazhdojnë të lëshojnë raketa jo në pika të caktuara por në çdo vend në Orikhiv. "Në fakt më e rrezikshme është që këto sulme kryhen në çdo vend. Ka goditje pa objektiv. Raketat mund të bien në çdo vend dhe kjo është gjëja më e frikshme", thekson Kkvorostyanov.
Ai bëri të ditur se si pasojë e sulmeve dëmtohen civilët dhe ndërtesat që u përkasin civilëve. Kkvorostyanov tha se "Për shkak të sulmeve dëmtohen pronat private, banesat, ndërtesat me një kat ose shumë kate. Nuk ka mbetur rrugë që nuk ka rënë raketë".
- "Si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën 20 persona"
"Në të vërtetë qyteti është shumë i vogël, në qendër jetojnë vetëm 15 mijë persona dhe bashkë me fshatrat përreth popullsia arrin në rreth 19.500", tha Kkvorostyanov i cili shtoi se me fillimin e luftës një pjesë e banorëve të qytetit kanë shkuar në rajone më të sigurta.
"Mbaj mend që 3.500 njerëz mbetën në qytet gjatë periudhës më aktive të procesit të evakuimit, por tani ka njerëz që kthehen. Sipas informacioneve aktuale, në qendrën e qytetit dhe vendbanimet përreth ndodhen rreth 6 mijë civilë. Si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën 20 persona dhe qindra të tjerë janë plagosur. Njerëzit po kthehen por rreziku këtu vazhdon", tha Kkvorostyanov.