Bota

Organizatat ndërkombëtare dënojnë sulmin në Irak

Organizata e Bashkëpunimit Islam, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë dhe koalicioni ndërkombëtar i kryesuar nga SHBA-ja dënuan sulmin terrorist në kryeqytetin irakian

Muhammed Semiz   | 21.01.2021
Organizatat ndërkombëtare dënojnë sulmin në Irak

Jordan

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI), Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë dhe koalicioni i forcave ndërkombëtare nën udhëheqjen e SHBA-së në Irak dënuan sulmin terrorist që mori jetën e dhjetëra njerëzve sot në Bagdad, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i OBI-së, Yusuf bin Ahmad Al-Uthaymeen, në lidhje me sulmin në fjalë ngushëlloi qeverinë e Irakut dhe familjet e viktimave, kurse të lënduarve u uroi shërim të shpejtë.

Al-Uthaymeen gjithashtu tha se qëndrimi i OBI-së që dënon çdo lloj forme të terrorizmit është i pandryshueshëm.

Këshili i Bashkëpunimit të Gjirit

Po ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, Nayef Al-Hajraf, në deklaratën e tij ngushëlloi familjarët e viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të lënduarve nga sulmi.

Ai gjithashtu theksoi se GCC është në bashkëpunim me Irakun në luftën ndaj terrorizmit dhe forcimin e stabilitetit dhe qetësisë në vend.

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë

Sekretari i Përgjithshëm i Unionit të Dijetarëve Muslimanë, Ali Muhyiddin Al-Qaradaghi, tha se dënon sulmin ndaj civilëve dhe se derdhja e gjakut pa të drejtë është e papranueshme sipas feve qiellore dhe ligjit ndërkombëtar.

Qaradaghi gjithashtu tha se këto veprime nuk i shërbejnë askujt përveç atyre që kanë mendime negative ndaj muslimanëve dhe Islamit.

- Koalicioni ndërkombëtar i kryesuar nga SHBA-ja

Në deklaratën e koalicionit të forcave ndërkombëtare nën udhëheqjen e SHBA-së në Irak thuhet se sulmi që ndodhi në Bagdad ishte një tjetër shembull sesi terroristët dëmtojnë paqen dhe popullin e Irakut.

Në deklaratë po ashtu theksohet se koalicioni do të vazhdojë ta mbështesë qeverinë e Irakut për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në vend.

32 persona të vdekur dhe 110 të plagosur në sulmin në Bagdad

Sot në sheshin Tayaran në qendrën e Bagdadit u organizuan dy sulme vetëvrasëse të njëpasnjëshme.

Sipas autoriteteve irakiane të sigurisë, 32 persona humbën jetën dhe 110 tjerë u plagosën si pasojë e sulmit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın