Organizata e të drejtave: Të paktën 98 palestinezë të vdekur në burgjet izraelite gjatë dy viteve
Raporti nga grupi izraelit i të drejtave të njeriut zbulon një model të përsëritur të dhunës së rëndë nga rojet e burgut, së bashku me neglizhencën serioze mjekësore ndaj të burgosurve palestinezë
Kuds/Stamboll
Të paktën 98 palestinezë kanë vdekur në burgjet izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, njoftoi një grup izraelit për të drejtat e njeriut, transmeton Anadolu.
Gjetjet u publikuan në një raport të organizatës “Physicians for Human Rights–Israel”, e cila është bazuar në përgjigjet zyrtare, dokumentet mjekësore, raportet e autopsisë, dëshmitë e stafit mjekësor dhe të burgosurve të liruar, si dhe burime të tjera për të drejtat e njeriut.
Organizata tha se Izraeli ka fshehur shkaqet e vdekjes së të burgosurve palestinezë dhe vazhdon të fshehë numrin e vërtetë të viktimave, duke paralajmëruar se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë.
Ajo e akuzoi Izraelin për një politikë të sistematizuar vrasjeje, keqtrajtimi dhe neglizhence mjekësore ndaj të burgosurve palestinezë.
“Shifra e paprecedentë, së bashku me gjetjet dhe provat për vdekjet nga tortura dhe neglizhenca mjekësore, tregon një politikë të qëllimshme izraelite për vrasjen e palestinezëve në paraburgim”, tha Oneg Ben Dror, koordinatore e projekteve në Departamentin e të Burgosurve dhe të Paraburgosurve të organizatës.
Sipas grupit, 98 palestinezë kanë humbur jetën në paraburgim izraelit, përfshirë 94 raste të dokumentuara midis tetorit 2023 dhe gushtit 2025, ndërsa katër viktima të tjera janë regjistruar vetëm gjatë tetorit dhe nëntorit të këtij viti.
Raporti përfshin vetëm vdekjet brenda burgjeve dhe qendrave të paraburgimit dhe nuk përfshin shtatë raste shtesë të palestinezëve të ekzekutuar me armë menjëherë pas arrestimit.
Nga viktimat, 52 kanë qenë të burgosur nga Gaza.
Grupi për të drejtat e njeriut theksoi se raporti tregon një model të përsëritur të dhunës së rëndë nga rojet e burgut, si dhe neglizhencë serioze mjekësore ndaj të burgosurve palestinezë.
Një shqyrtim i dhjetë raporteve të autopsisë ka treguar shenja të dhunës fizike në pothuajse gjysmën e rasteve, përfshirë lëndime në kokë, gjakderdhje të brendshme dhe fraktura të brinjëve.
Raporte të tjera mjekësore kanë dokumentuar raste të kequshqyerjes ekstreme, mosdhënie të insulinës për pacientët diabetikë, si dhe mostrajtim të kancerit dhe infeksioneve kërcënuese për jetën.
Organizata theksoi se këto gjetje korrespondojnë me dokumentimin e gjerë gjatë dy viteve të fundit për urinë, dehidratimin dhe ekspozimin e zgjatur ndaj të ftohtit dhe të nxehtit ekstrem në qendrat izraelite të paraburgimit.
Raporti gjithashtu përshkruan mënyrat që autoritetet izraelite përdorin për “fshehjen e shkaqeve të vdekjes dhe pengimin e familjeve për të zbuluar të vërtetën mbi rrethanat në të cilat kanë vdekur të afërmit e tyre”.
Ushtria izraelite nisi një ofensivë brutale në Gaza në tetor 2023, duke vrarë më shumë se 69.000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur mbi 170.000 të tjerë dhe arrestuar mijëra. Sulmet u ndalën pas një marrëveshjeje për armëpushim që hyri në fuqi 10 tetor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
