Bota

OKB: Viti 2024 u regjistrua si viti në të cilin u vranë më së shumti punëtorë humanitarë

- "Shumica e punonjësve humanitarë që vdiqën ishin personel vendas që shërbenin për komunitetet e tyre. Këta njerëz u sulmuan ndërsa ishin në detyrë ose në shtëpitë e tyre", thuhet në deklaratën nga UNOCHA

Muhammet İkbal Arslan  | 19.08.2025 - Përdıtësım : 19.08.2025
OKB: Viti 2024 u regjistrua si viti në të cilin u vranë më së shumti punëtorë humanitarë

Gjenevë

GJENEVË (AA) - Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) raportoi se 383 punonjës humanitarë u vranë në vitin 2024, numri më i lartë i regjistruar në një vit të vetëm, transmeton Anadolu.

UNOCHA lëshoi një deklaratë me shkrim me rastin e 19 gushtit, Ditës Botërore të Punës Humanitare.

Deklarata vuri në dukje se 383 punonjës humanitarë vdiqën vitin e kaluar, një shifër "tronditëse" që ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në një vit të vetëm.

Në deklaratë thuhet se kjo situatë shërben si një paralajmërim për të mbrojtur të gjithë civilët në konflikt dhe krizë dhe për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Deklarata thekson se punonjësit humanitarë kanë bërë thirrje për veprime urgjente në përgjigje të incidenteve. "Shumica e punonjësve humanitarë që vdiqën ishin personel vendas që shërbenin për komunitetet e tyre. Këta njerëz u sulmuan ndërsa ishin në detyrë ose në shtëpitë e tyre. Vitin e kaluar, 308 punonjës të tjerë të ndihmës u plagosën, 125 u rrëmbyen dhe 45 u arrestuan", thuhet në deklaratë.

Më tej deklarata nënvizoi se pati një rritje prej 31 për qind në vdekjet e punonjësve humanitarë në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, duke theksuar se 181 prej këtyre personave u vranë në Gaza dhe 60 humbën jetën për shkak të konfliktit brutal në Sudan.


- Deri më 14 gusht, janë vrarë 265 punonjës të organizatave humanitare

Deklarata vuri në dukje se dhuna kundër punonjësve të ndihmës u rrit në 21 vende në vitin 2024 krahasuar me vitin paraprak.

"Në tetë muajt e parë të vitit 2025 nuk ka asnjë shenjë se ky trend shqetësues do të përmbyset. Deri më 14 gusht, janë vrarë 265 punonjës humanitarë. Sulmet ndaj punonjësve, aseteve dhe operacioneve humanitare shkelin të drejtën ndërkombëtare humanitare. Kjo situatë, dëmton burimin e jetesës së miliona njerëzve të bllokuar në zona të shkatërruara nga lufta dhe fatkeqësitë", thekson deklarata.

Deklarata gjithashtu duke kujtuar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 2730 në maj 2024, e cila riafirmoi detyrimin e palëve në konflikt dhe shteteve anëtare për të mbrojtur punonjësit humanitarë dhe bëri thirrje që shkeljet të zgjidhen përmes hetimeve të pavarura, vuri në dukje se mungesa e llogaridhënies në këtë drejtim vazhdon të jetë e përhapur.


- "Kërkojmë edhe një herë që autorët të mbahen përgjegjës."

Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Tom Fletcher, pikëpamjet e të cilit u përfshinë në deklaratë, theksoi se sulmet ndaj punonjësve humanitarë ishin të drejtuara ndaj njerëzve të cilëve ata u shërbejnë.

"Sulmet e kësaj shkalle, të kryera pa asnjë përgjegjësi, janë një shfaqje e turpshme e mosveprimit dhe apatisë ndërkombëtare. Si komunitet humanitar, ne kërkojmë edhe një herë që ata që janë në pushtet dhe me ndikim të ndërmarrin veprime për njerëzimin, të mbrojnë civilët dhe punonjësit e ndihmës, si dhe t'i mbajnë autorët përgjegjës. Dhuna kundër punonjësve të ndihmës nuk është e pashmangshme; ajo duhet të marrë fund", theksoi Fletcher.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.