Bota

OKB: Sanksionet e SHBA-së ndaj raportueses speciale Albanese, "precedent i rrezikshëm"

“Përdorimi i sanksioneve të njëanshme kundër Raportuesve Specialë ose ndonjë eksperti apo zyrtari tjetër të OKB-së është i papranueshëm”, tha zëdhënësi i OKB-së

Merve Gül Aydoğan Ağlarcı  | 10.07.2025 - Përdıtësım : 10.07.2025
OKB: Sanksionet e SHBA-së ndaj raportueses speciale Albanese, "precedent i rrezikshëm"

Hamilton

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha sot se vendimi i SHBA-së për të vendosur sanksione ndaj Raportueses Speciale të OKB-së për Territorin e Pushtuar Palestinez, Francesca Albanese, vendos një “precedent të rrezikshëm”, raporton Anadolu.

“Reagimi ynë ndaj sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja ndaj Francesca Albaneses, mund t’ju them se vendosja e sanksioneve ndaj Raportuesve Specialë është një precedent i rrezikshëm”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në një konferencë për shtyp.

Ai theksoi se Albanese, si të gjithë raportuesit specialë, është “një eksperte e pavarur e të drejtave të njeriut e emëruar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së dhe që raporton në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së”.

“Raportuesit Specialë nuk i raportojnë Sekretarit të Përgjithshëm (Antonio Guterres). Ai (Guterres) nuk ka autoritet mbi ta ose mbi punën e tyre”, shtoi Dujarric.

Ndërsa vuri në dukje se shtetet anëtare kanë “të drejtë të plotë të kenë pikëpamjet e tyre dhe të mos pajtohen me raportet e Raportuesve Specialë”, Dujarric u kërkoi atyre të “angazhohen me arkitekturën e të drejtave të njeriut të OKB-së”.

“Përdorimi i sanksioneve të njëanshme kundër Raportuesve Specialë ose ndonjë eksperti apo zyrtari tjetër të OKB-së është i papranueshëm”, tha ai.

I pyetur nëse shefi i OKB-së mbështet Albanesen “në një nivel personal”, Dujarric tha se Guterres “respekton punën e të gjithë raportuesve të të Drejtave të Njeriut të OKB-së”.

“Puna e tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme. Është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e arkitekturës së të Drejtave të Njeriut”, tha ai.

Duke theksuar se është “vërtet e papranueshme që shtetet anëtare të kenë një qasje ‘ala carte’” ndaj Kartës së OKB-së, Dujarric u bëri thirrje shteteve anëtare që kanë nënshkruar Kartën e OKB-së të “angazhohen me të”.

Dujarric njoftoi gjithashtu se OKB-ja është në proces të përgjigjes ndaj një letre nga e Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Dorothy Shea.

Sanksionet e SHBA-së pasuan një raport nga Albanese javën e kaluar që identifikoi korporatat që dyshohet se lehtësojnë pushtimin izraelit në tokat palestineze, si Microsoft, Alphabet, Amazon dhe Palantir, që ofrojnë pajisje ushtarake, teknologji mbikëqyrjeje dhe infrastrukturë që mbështesin pushtimin e paligjshëm.

SHBA-ja është kritikuar prej kohësh për mbështetjen e pushtimit të vazhdueshëm dhe gjenocidit ndaj palestinezëve nga Izraeli, i cili që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë mbi 57.000 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın