OKB: Pas rënies së Asadit janë kthyer mbi 1.5 milion sirianë
"Në Siri, 16.5 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare", tha Wosornu duke shtuar se lëvizshmëria e popullsisë dhe zhvendosja e njerëzve vazhdon

Gjenevë
Drejtoresha e Operacioneve dhe Mbrojtjes në Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), Edem Wosornu tha se mbi 1.5 milion sirianë, të zhvendosur brenda vendit dhe nga vendet fqinje, janë kthyer në rajonet e tyre pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Assadit më 8 dhjetor 2024, raporton Anadolu.
Wosornu mori pjesë në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë përmes internetit nga qyteti turk Gaziantep dhe bëri vlerësime lidhur me zhvillimet në Siri.
"Në Siri, 16.5 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare", tha Wosornu duke shtuar se lëvizshmëria e popullsisë dhe zhvendosja e njerëzve vazhdon.
Ajo theksoi se operacionet humanitare vazhdojnë pavarësisht vështirësive në rritje. "OKB-ja dhe partnerët e saj përmes operacioneve vendase dhe ndërkufitare mbërrijnë tek mesatarisht 2.4 milionë njerëz çdo muaj", tha Wosornu.
"Shpresojmë që vendimi i SHBA-së për të hequr sanksionet ndaj Sirisë dhe vendimi i fundit i Bashkimit Evropian (BE) për të hequr sanksionet ekonomike do të lehtësojnë qetësimin, rimëkëmbjen dhe zhvillimin", tha Wosornu duke nënvizuar se kolegët e saj në Siri do të jenë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e qeverisë së përkohshme dhe se ata presin me padurim progresin e këtyre zhvillimeve.
Në pyetjen e gazetarit të AA-së se "Sa refugjatë sirianë janë kthyer në vendin e tyre nga vendet fqinje pas rënies së regjimit të Bashar Assadit?, zyrtarja e OKB-së Wosornu tha se "Përafërsisht mbi 1 milion persona të zhvendosur brenda vendit janë kthyer në rajonet e tyre të origjinës. Më shumë se gjysmë milioni refugjatë janë kthyer nga vendet fqinje".
Më tej Wosornu tha se afërsisht një mijë kamionë me ndihma kanë hyrë në Siri që nga fillimi i vitit dhe falënderoi Turqinë dhe palët e tjera të interesuara për bashkëpunimin e tyre në këtë proces.