OKB paralajmëron kundër “militarizimit të mëtejshëm” në Los Angeles mes protestave të bastisjes ndaj emigrantëve
“Mendoj se jeni të vetëdijshëm për situatën në terren dhe ajo që duam është të shohim de-përshkallëzim të saj”, tha zëdhënësi i OKB-së i pyetur nëse vendosjen e trupave të presidentit Trump në qytet OKB-ja e konsideron si “militarizim”

Hamilton
Kombet e Bashkuara (OKB) kanë kërkuar përmbajtje nga të gjitha palët derisa tensionet vazhdojnë të rriten në qytetin Los Angeles në Kaliforni mes protestave publike të bastisjeve federale ndaj emigrantëve, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, në një konferencë për media u pyet lidhur me vendosjen e Gardës Kombëtare nga presidenti amerikan, Donald Trump, për t’iu përgjigjur protestave. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm.
“Shpresojmë që të gjitha palët në terren do ta de-përshkallëzojnë situatën. Ne nuk duam të shohim ndonjë militarizim të mëtejshëm të kësaj situate dhe ne i inkurajojmë palët në nivel lokal, shtetëror dhe federal të punojnë për ta bërë këtë”, tha Haq.
I pyetur nëse vendosjen e trupave të presidentit Trump në qytet OKB-ja e konsideron si “militarizim”, Haq tha: “Mendoj se jeni të vetëdijshëm për situatën në terren dhe ajo që duam është të shohim de-përshkallëzim të saj”.
Të shtunën, Trump duke u thirrur në autoritetin e tij nënshkroi një urdhër për të vendosur të paktën 2 mijë trupa të Gardës Kombëtare në Los Angeles pas konfrontimeve midis zyrtarëve të imigracionit dhe protestuesve.
Protestat filluan të premten pasi agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE) arrestuan qindra persona në Los Angeles të dyshuar se jetonin ilegalisht në SHBA.
Administrata e presidentit Trump tha se do të vazhdojë me bastisjet e saj të agjencisë ICE pavarësisht protestave, në kuadër të goditjes së presidentit kundër imigracionit,
Kritikët e bastisjeve ndaj emigrantëve thonë se ICE po ndjek emigrantët pa dokumente që zbatojnë ligjin, që janë një pjesë jetësore e komunitetit dhe ekonomisë lokale, në vend të kriminelëve dhe “burrave të këqij” për të cilët Trump prej kohësh është zotuar se do t’i deportojë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.