OKB: Katastrofa në Gaza kërkon akses të pakufizuar në ndihma dhe respekt për ligjin
Turk theksoi se "duhet bërë gjithçka për të siguruar që të ketë qasje të papenguar në ndihmën humanitare", duke e përshkruar situatën si një shqetësim qendror të shteteve anëtare
Gjenevë
Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, ka deklaruar se Këshilli i të Drejtave të Njeriut ka dhënë "mesazhe shumë të qarta" mbi nevojën urgjente për t'u përballur me krizën katastrofike humanitare të Gazës, për të siguruar llogaridhënie dhe për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Gjatë fjalës së tij përmbyllëse në sesionin mbi territoret e pushtuara palestineze, Turk theksoi se "duhet bërë gjithçka për të siguruar që të ketë qasje të papenguar në ndihmën humanitare", duke e përshkruar situatën si një shqetësim qendror të shteteve anëtare.
Turk theksoi se vendimet dhe opinionet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që përshkruajnë detyrimet sipas së drejtës ndërkombëtare duhet të respektohen, gjë që përshkruhet si thelbësore për t'i dhënë fund konfliktit.
Ai gjithashtu paralajmëroi se zhvillimet në Bregun Perëndimor janë gjithnjë e më të rrezikshme.
"Aneksimi de fakto që po ndodh është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe minon të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje dhe një zgjidhje me dy shtete", shtoi ai.
Ai tha se përgjegjësia për shkeljet nga të gjitha palët është kritike, duke theksuar se pa të "ne do të vazhdojmë me gjakderdhjen që shohim aktualisht".
Shefi i të drejtave të njeriut deklaroi se një armëpushim duhet të respektohet dhe të zbatohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa sulmet ndaj punonjësve humanitarë dhe kufizimet ndaj organizatave të ndihmës përkeqësojnë vuajtjet e civilëve.
Ai shprehu shpresën se "mesazhi i qartë dhe i fuqishëm" i këshillit do të ndihmonte në drejtimin e përpjekjeve "drejt paqes" bazuar në ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut.
Turqia bën thirrje për armëpushim, rritje të ndihmës dhe tërheqje të Izraelit
Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Burak Akçapar, gjithashtu foli në seancë ku tha se një armëpushim është "thelbësor për të ndaluar gjakderdhjen e mëtejshme dhe për të krijuar hapësirë për ndihmë humanitare të papenguar, rimëkëmbje të hershme dhe angazhim politik kuptimplotë".
Ai theksoi se ndihma duhet të rritet ndjeshëm dhe të lejohet të rrjedhë pa pengesa.
Sipas Akçapar, rimëkëmbja dhe rindërtimi në Gaza duhet të fillojë "pa vonesë" dhe bëri thirrje për funksionimin efektiv të mekanizmave të qeverisjes për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit.
Ai i kërkoi Izraelit të tërhiqet nga Gaza në vend që të zgjerojë pushtimin e tij dhe paralajmëroi se tensionet në rritje në Bregun Perëndimor, përfshirë zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme, janë "në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar".
Duke riafirmuar qëndrimin e Turqisë, Akçapar tha se vendi i tij mbetet i "përkushtuar plotësosht ndaj një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme me dy shtete" të bazuar në rezolutat e OKB-së dhe në të drejtën ndërkombëtare, duke shtuar se Turqia qëndron në "solidaritet të plotë me popullin palestinez".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
