OKB-ja njofton se 12.000 njerëz janë prekur drejtpërdrejt nga tërmeti në Afganistan
Raporti nga OCHA vuri në dukje se të dhënat fillestare tregojnë se afërsisht 12.000 persona janë prekur drejtpërdrejt nga tërmeti dhe se numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit arrijnë në zonat e prekura.

Gjenevë
Zyra e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) njoftoi se 12.000 persona janë prekur drejtpërdrejt fillimisht nga tërmeti në Afganistan, transmeton Anadolu.
OCHA publikoi një raport lidhur me tërmetin shkatërrues të përjetuar në Afganistan dhe i cili rezultoi me vdekjen e shumë personave.
Raporti vuri në dukje se epiqendra e tërmetit me magnitudë 6 ballë, i cili goditi dje në orën 23:47 sipas kohës lokale, ishte rrethi Qama, afërsisht 30 kilometra në verilindje të Jalalabadit.
"Të dhënat fillestare tregojnë se të paktën 800 persona kanë vdekur në katër provinca: Kunar, Laghman, Nangerhar dhe Nuristan, dhe parashikohet se rreth 2.000 të tjerë janë plagosur. Shumica e të plagosurve jetojnë në zona të largëta dhe malore ku rrugët kryesore të aksesit janë bllokuar nga rrëshqitjet e shkëmbinjve dhe rrëshqitjet e dheut".
Raporti vuri në dukje se të dhënat fillestare tregojnë se afërsisht 12.000 persona janë prekur drejtpërdrejt nga tërmeti dhe se numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit arrijnë në zonat e prekura.
- Tërmeti në Afganistan
Studimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) njoftoi se një tërmet me magnitudë 6 ballë ndodhi 27 kilometra në verilindje të Jalalabadit, pranë kufirit të Afganistanit me Pakistanin, në një thellësi prej 8 kilometrash.
Autoritetet lokale raportuan se ky është një nga tërmetet më të forta që ka goditur vendin.
Zëdhënësi i Qeverisë së Përkohshme Afgane, Zabihullah Mujahid njoftoi në një konferencë për media se numri i të vdekurve nga tërmeti që ndodhi mbrëmë u rrit në mbi 800 dhe numri i të plagosurve tejkaloi 2.500.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.