OKB-ja: Në Gaza nuk po arrin ndihma e mjaftueshme për shkak të kufizimeve izraelite
"Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe Hamasit, ndihma e mjaftueshme humanitare nuk ka mbërritur në Gaza për shkak të pengesave izraelite", tha Jens Laerke
Gjenevë
Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), Jens Laerke deklaroi se pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe Hamasit, ndihma e mjaftueshme humanitare nuk ka mbërritur në Gaza për shkak të pengesave izraelite.
Laerke iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Agjencisë Anadolu (AA) në lidhje me ndikimin e armëpushimit gati dy-mujor në përpjekjet për ndihmë humanitare. "Niveli i ndihmës humanitare nuk është padyshim në nivelin e dëshiruar", tha Laerke duke shtuar se ka patur rritje të ndihmës që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes më 10 tetor.
Sipas tij, 67 mijë tonë ushqim janë dorëzuar në Rripin e Gazës gjatë kësaj periudhe dhe se ata kanë qenë në gjendje të sigurojnë 1.5 milion vakte të ngrohta në ditë, gjë që është thelbësore.
Ai thotë se ata po sjellin ujë dhe kanalizime si dhe strehim dhe furnizime mjekësore në Gaza. "Aktualisht nuk jemi aty ku duam të jemi. Ka ende shumë kufizime. Më e rëndësishmja, shumë organizata ndërkombëtare joqeveritare (OJQ) nuk lejohen të veprojnë. Ato nuk mund të marrin leje nga autoritetet izraelite për të vepruar. Prania e këtyre OJQ-ve në terren me ne është thelbësore për operacionin tonë", tha Laerke.
Zëdhënësi i UNOCHA-s thekson se objektivi ditor prej 600 kamionësh me ndihmë humanitare, të cilët supozohej të arrinin në Gaza sipas marrëveshjes së armëpushimit, nuk është përmbushur kurrë.
- "(Tendat ekzistuese) nuk plotësojnë sasinë që na nevojitet"
"Nevoja për tenda është thelbësore, veçanërisht këto ditë kur po shohim shumë shi në Rripin e Gazës. Kur kushtet e dimrit intensifikohen, situata do të përkeqësohet dhe tendat e përdorura për strehim do të përmbyten. (Tendat ekzistuese) nuk plotësojnë sasinë që na nevojitet vërtet. Prandaj, ka një mesazh shumë të qartë për autoritetet izraelite që të heqin të gjitha kufizimet mbi tendat, duke siguruar që ato të mund të arrijnë në enklavë", tha Laerke.
"A është ky armëpushim i vërtetë? Jo, nuk është. Bombat vazhdojnë të bien dhe bombat vazhdojnë të qëllojnë. Pra, ne jemi ende nën të njëjtat kushte lufte të plota dhe këto sulme ende ndikojnë në aftësinë tonë për të ofruar. Kjo do të thotë se ne duhet të marrim leje nga autoritetet izraelite sa herë që hyjmë në Rripin e Gazës. Sigurisht, ne duam shumë që armëpushimi të vazhdojë dhe këto përleshje të përfundojnë", tha Laerke.
- "Thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të OKB-së ta mbështesin armëpushimin"
Zëdhënësi i UNOCHA-s, Laerke tha se punonjësit humanitarë janë vënë në shënjestër herë pas here, duke deklaruar se kjo duhet të parandalohet dhe se ata që kryejnë punë humanitare duhet të mbrohen.
Ai thekson se ata kanë qenë në kontakt të shpeshtë me autoritetet izraelite gjatë gjithë konfliktit dhe se vazhdojnë të punojnë prapa skenave për të ofruar ndihmë.
Duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t'i japë fund ngjarjeve në Gaza, Laerke tha: "I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të OKB-së ta mbështesin plotësisht armëpushimin dhe ta çojnë atë në nivelin tjetër. Ne i nxisim ata të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi ata që kanë aftësinë të ndalojnë luftimet, të lejojnë rrjedhën e ndihmës, të hapin kufijtë dhe të sigurojnë që ndihma të arrijë aty ku është e nevojshme".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
