Bota

OKB-ja: Mbi 32 mijë palestinezë janë zhvendosur nga sulmi izraelit në veri të Bregut Perëndimor

"Më shumë se 32 mijë palestinezë janë zhvendosur nga një ofensivë e vazhdueshme izraelite në kampet e refugjatëve në veri të Bregut Perëndimor", tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA)

Betül Yılmaz  | 27.11.2025 - Përdıtësım : 27.11.2025
OKB-ja: Mbi 32 mijë palestinezë janë zhvendosur nga sulmi izraelit në veri të Bregut Perëndimor

Istanbul

Më shumë se 32 mijë palestinezë janë zhvendosur nga një ofensivë e vazhdueshme izraelite në kampet e refugjatëve në veri të Bregut Perëndimor, tha sot agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu.

Ushtria izraelite nisi ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë në kampin e refugjatëve Jenin më 21 janar, e cila më vonë u përhap në kampet Tulkarem dhe Nur Shams dhe zona të tjera në Bregun Perëndimor verior. Drejtori i Çështjeve të UNRWA-së për Bregun Perëndimor, Roland Friedrich tha se sulmi izraelit zbrazi kampet e refugjatëve Jenin, Tulkarem dhe Nur Shams, duke zhvendosur rreth 32 mijë banorë.

"Edhe në këto qytete fantazmë që dikur ishin kampe të gjalla, forcat izraelite ende e shohin nevojën për të urdhëruar prishje për hir të të ashtuquajturave 'qëllime ushtarake'", shtoi Friedrich.

Ai tha se autoritetet izraelite lëshuan dy urdhra për prishje masive të mbi 190 ndërtesave në kampin e refugjatëve në Jenin ndërsa 12 ndërtesa të tjera do të prishen në ditët në vijim, gjë që shënon "episodin më të ri në përpjekjet e vazhdueshme për të ridizajnuar topografinë e kampeve të refugjatëve në Bregun Perëndimor verior".

Zyrtari i UNRWA-së tha se shkatërrimi sistematik që kryen Izraeli shkel parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe zgjeron kontrollin e ushtrisë mbi kampet e refugjatëve në planin afatgjatë.

Friedrich bën thirrje për rindërtimin e kampeve të refugjatëve dhe kthimin e banorëve të zhvendosur. "Ata nuk duhet të bllokohen në zhvendosje të pafundme", shtoi ai.

Të mërkurën, ushtria izraelite filloi fushatë tjetër ushtarake në rajonin Tubas në veri të Bregut Perëndimor, duke arrestuar mbi 60 palestinezë dhe duke plagosur 10 të tjerë.

Krahas luftës dyvjeçare në Rripin e Gazës, ku janë vrarë rreth 70 mijë palestinezë, sulmet nga ushtria dhe kolonët e paligjshëm në Bregun Perëndimor kanë vrarë të paktën 1.083 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 11 mijë të tjerë ndërsa më shumë se 20.500 janë ndaluar, sipas shifrave zyrtare palestineze.

Në një opinion historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın