OKB: Izraeli po bllokon furnizimet arsimore për Gazën, ndërsa dimri përkeqëson krizën humanitare
"Pavarësisht pengesave, ne dhe partnerët tanë humanitarë vazhdojmë të mbështesim familjet më të cenueshme të prekura nga kushtet e ashpra të dimrit dhe pasojat e tmerrshme të krizës së dy viteve të fundit", tha zëdhënesi Dujarric
Hamilton
OKB ka deklaruar se agjencitë humanitare vazhdojnë të ndihmojnë familjet e cenueshme në Rripin e Gazës mes kushteve të ashpra të dimrit, ndërsa paralajmëroi se kufizimet izraelite po pengojnë zgjerimin e shërbimeve arsimore për fëmijët, transmeton Anadolu.
"Pavarësisht pengesave, ne dhe partnerët tanë humanitarë vazhdojmë të mbështesim familjet më të cenueshme të prekura nga kushtet e ashpra të dimrit dhe pasojat e tmerrshme të krizës së dy viteve të fundit", tha në një konferencë për media Stephane Dujarric, zëdhënës i OKB-së, duke cituar Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
Duke theksuar se zgjerimi i shërbimeve arsimore mbetet një përparësi kritike, ai tha kjo varet nga hyrja në kohë e furnizimeve thelbësore, e cila vazhdon të mohohet nga autoritetet izraelite, të cilat thonë se “arsimi nuk është një aktivitet kritik gjatë fazës së parë të armëpushimit”.
Duke iu referuar Bregut Perëndimor të pushtuar, Dujarric tha se OCHA raportoi se "gjatë dy javëve të fundit, dhjetëra tenda dhe strehimore të improvizuara në komunitetet beduine dhe të barinjve palestinezë në të gjithë Bregun Perëndimor janë dëmtuar ose shkatërruar për shkak të motit të ashpër të dimrit".
Ai paralajmëroi gjithashtu për prishje të vazhdueshme, duke theksuar se autoritetet izraelite "shkatërruan 50 struktura në Zonën C dhe Kudsin Lindor, duke zhvendosur më shumë se 50 palestinezë dhe duke ndikuar në jetesën e më shumë se 14 mijë njerëzve".
Forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.102 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë në Kudsin Lindor, kanë plagosur gati 11 mijë dhe kanë ndaluar rreth 21 mijë që nga tetori i vitit 2023.
Në një opinion historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
